Arestohet me kërkesë të Serbisë ish-luftari i UÇK’s në Zvicër

uck.jpg

Albert S. nuk kishte parandie diçka të keqe kur të Martën e kalueme pak para orës 06:00 iu prish gjumi. Ai hapi derën e banesës së tij në nji lagje të Zürichut dhe u gjend para policëve. Ky shqiptar nga Kosova u arrestue menjiherë dhe u shoqnue në aeroport. Gjatë rrugës ai e kuptoi edhe arsyen e arrestimit.

Në nji kërkesë për ekstradim, drejtësia serbe ngriti akuza të randa kundër Albert S.: Si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ai akuzohet se ka krye krime lufte ndaj civilëve serbë në dy fshatna në Kosovë.

Enti Federal i Drejtësisë e ka konfirmue arrestimin.

Albert S. ka hedh poshtë akuzat dhe po kundërshton ashpër ekstradimin e tij në Serbi.

Ky rast ka shkaktue gati nji aferë shtetnore mes Kosovës dhe Zvicrës. Ambasada e Kosovës në Bernë po kërkon shpjegime, të Premten ka intervenue personalisht madje edhe ministri i Drejtësisë i Kosovës, Hajredin Kuçi, te homologia e tij zvicrane Simonetta Sommaruga.

Në nji letër ai sqaron se pse nuk asht i lejueshëm ekstradimi në Serbi. Për veprat e supozueme të shtetasit kosovar asht kompetente drejtësia në Kosovë, jo shteti fqinj, Serbia, ka shkrue Kuçi.

Pala kosovare e akuzon drejtësinë serbe se po përpiqet me shumë aksione që viktimat me i ba kriminelë.

Albert S. jeton në Zvicër nga vjeshta e vitit 1998. Dy nga tre fëmite e tij janë shtetas zvicranë. Familja e tij gjatë luftës gati asht shfaros nga forcat serbe: 13 anëtarë të familjes së ngushtë, mes tyne gruaja e tij, vdiqën. Ata janë nga komuna e Rahovecit në Kosovën qendrore, nji rajon i njohur i vreshtarisë.

Autoritetet e Beogradit pretendojnë se Albert S. bashkë me të dyshuem të tjerë ka arrestue paligjshëm disa serbë dhe i ka vra. Po ashtu thuhet se ai ua ka djeg shtëpitë dhe ka shkatërrue objekte fetare.

Albert S. gjendet në paraburgim ekstradues. Nga rrethi i tij familjar mësohet se 51-vjeçari mundet me ba vetëvrasje. Më parë ai për shkak të traumave të luftës ka qenë në përkujdesje psikiatrike.

Me sa duket drejtësia serbe prej vitesh asht përpjek me arrestue Albert S. Simbas të dhanave të Entit Federal i Drejtësisë, Beogradi ka deponue në Bernë në vjeshtë të vitit 2014 nji kërkesë për ekstradim.

Para nji viti autoritetet serbe garantuen nji procedurë gjyqësore konform me të drejtat e njeriut.

“Këto garanci parashohin që Ambasada e Zvicrës në çdo kohë të bajë vizita të pakontrollueme në burg dhe me përcjellë gjykimin”, thotë zadhanësi i Entit Federal të Drejtësisë, Folco Galli.

Në vitin 2012, Zvicra ia kishte dorëzue drejtësisë së Beogradit nji shqiptar të lindun në Serbi, edhe ai akuzohej për krime lufte. Mbas gjysë viti ai u la i lirë në mungesë të dëshmive.

Simbas të dhanave të Fondit për të Drejtën Humanitare nga Beogradi, gjatë luftës së Kosovës janë vra 13,517 njerëz, mes tyne 10,415 shqiptarë, 2197 serbë dhe 528 romë.

/dialogplus/(SonntagsZeitung, Zürich)