Arrestimi i Thaçit: Çka paralajmëron Kosova

“Qeveria e Kosovës ka me u sjell në të ardhmen në mënyrë reciproke, nëse Qeveria e Serbisë vazhdon me arrestimin e oficerëve të naltë të shtetit të Kosovës apo të zyrtarëve të naltë”, ka paralajmërue ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, në nji bisedë me Radion Europa e Lirë.

Ministri Hoxhaj e cilësoi si “akt të papranueshëm arrestimin e drejtorit rajonal të Policisë së Kosovës, Nehat Thaçi” dhe njikohësisht theksoi se po bahen përpjekje të shtueme për lirimin e tij.

Drejtori rajonal i Policisë së Kosovës, për Mitrovicën Jugore, Nehat Thaçi, u ndalue të Ejten e kalueme në vendkalimin kufitar në Konçul, mbi bazën e nji fletarresti të Serbisë për, siç thuhet, veprën penale ‘të terrorizmit’.

Nji gjykatë në Nish, nji ditë ma vonë i shqiptoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

“Kjo duhet të kuptohet në nji rrafsh ma të gjanë; Serbia ka zgjanue gamën e provokimeve në raport më Kosovën dhe në raport më rajonin; prej zhvillimeve që po ndodhin në Republika Serpska në referendumin atje (në Bosnje dhe Hercegovinë) e deri tek ndërhymjet ma të shpeshta edhe shumë dimensionale qoftë në Kosovë, qoftë në vendet tjera të rajonit. Kjo për neve asht e papranueshme”, tha Hoxhaj.