Arrestohen hajnat që kishin hy në shtëpinë e Kryeprokurorit Lumezi

Policia e Kosovës ka arrestue tre persona të dyshuem për “vjedhje të randa” dhe “vjedhje të kerreve”, ndërsa nji i dyshuem tjetër ndodhet në kërkim policor. E veçanta e këtij akcioni asht se në komunikatën e lëshueme për media, përmendet se cak i sulmeve të këtij grupi ishte edhe shtëpia e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, i cili para do dite ka konfirmue se i asht vjedhë telefoni i tij.

“Tana sendet e sekuestrueme janë dëshmi momentale për së paku pesë raste të vjedhjeve të kerreve dhe nji rasti të vjedhjes së randë ku cak ka qenë edhe shtëpia e Kryeprokurorit të Shtetit”, thuhet në komunikatën e lëshueme nga Policia.

Zyrtarët për informim nuk kanë dhanë informata shtesë përveç kësaj komunikate.

Aty thuhet se tue u bazue në hetimet policore ky grup dyshohet se asht i përbamë nga katër persona, por që numri i tyne munet me qenë edhe ma i madh.

“Ky grup, dyshohet se ka krye vjedhje të randa në lagjen Veternik dhe në katundin Çagllavicë, kryesisht nëpër shtëpi, ku para tyne ka pasë të parkueme kerre të shtrejta. Të njajtit, vjedhjet i kanë krye mbas mesnate, derisa banoret kanë qenë tue flejt, me ç’rast ata kanë vjedhë sende me vlerë dhe çelësat e kerreve dhe mandej në largim e sipër tue i vjedh edhe kerret”, thuhet në komunikatë.