Arrestohet nji aktivist i VV’s, qe kush asht

Policia e Kosovës ka arrestue në kufinin Kosovë – Shqipni aktivistin e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Sahiti.

Përmes nji postimi në rrjetin social, Facebook, VV ka ba të ditun se arsyeja e arrestimit të Sahitit asht se ishte pjesëmarrës në nji akcion simbolik para do muejve.

Njoftimi i plotë i Vetëvendosjes:

Policia ka arrestuar aktivistin Fatos Sahiti

Në kufirin Kosovë-Shqipëri, duke u kthyer nga Shqipëria, Policia e Kosovës ka arrestuar aktivistin Fatos Sahiti. Arsyeja që është dhënë më ketë rast ka qenë pjesëmarrja e aktivistit Sahiti në një aksion simbolik muaj më parë.

Policia me veprime të tilla po e konfirmon se është e instrumentalizuar, dhe në vend të angazhimit për rend e ligj, ajo është e përqendruar në zbatimin e urdhërave politike të pushtetit të kriminalizuar.

Arrestimet e këtilla dhe përndjekja e persekutimi i vazhdueshëm i aktivistëve të VETËVENDOSJE!-s nga pushteti përmes organeve të rendit dhe të drejtësisë, janë të papranueshme. Frika nga humbja e pushtetit i ka përshkallëzuar të këqijat e pushtetarëve dhe sheshazi e ka nxjerrë fytyrën e këtij regjimi autoritar, që qëllimin kryesor e ka- luftimin e zërave opozitarë.

Kërkojmë që veprimet e tilla të marrin fund, si dhe lirimin e menjëhershëm të aktivistit Fatos Sahiti. Asnjë lloj veprimi, asnjëherë, nuk do ta zmbrapsë aktivizmin tonë dhe nuk e ndalon përpjekjen tonë për një shoqëri të drejtë dhe një shtet demokratik.