Auditori kritikon Shpendin për 210 kontratat mbi vepër

Komuna e Prishtinës ka vazhdue edhe në vitin që lamë mbas angazhimin e personave me kontrata për shërbime të veçanta.

Vetëm gjatë vitit të kaluem kjo komunë ka punësue 210 zyrtarë me kontratë për shërbime të veçanta që duket nji reduktim i lehtë i personave të angazhuem me këtë kontratë nga viti 2015 kur kjo komunë kishte angazhue 276 persona në formë të tillë.

Simbas raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, mbulimi i pozitave të randësishme me marrëveshje të përkohshme rezulton me performancë të dobët dhe rrit pasigurinë nëse personeli i angazhuem asht joadekuat.

“Simbas regjistrit të pagesave, gjatë këtij viti janë angazhue 210 zyrtarë me kontratë për shërbime të veçanta që paraqet nji numër të reduktuem nga viti i kaluem, 276”, thuhet në raportin e ZKA’s.

Auditori Gjeneral kërkon nga kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, me i rishikue nevojat reale për angazhim të punëtorëve me kontratë për shërbime të veçanta.

“Kryetari duhet me i rishikue nevojat reale për angazhim të punëtorëve me kontrata për shërbime të veçanta. Nevoja për staf shtesë për pozitat e karrierës duhet m’u analizue dhe nëse rritja e numrit të stafit asht e domosdoshme, kjo të inkorporohet edhe në planifikimet buxhetore”, thuhet në raportin e ZKA’s.

Simbas raportit në regjistrin komunal theksohet se personat e punësuem janë angazhue si zyrtar në zyrat e gjendjes civile, zyrtarë në kuzhinën e institucioneve parashkollore, zyrtarë për legalizim, zyrtarë tjerë në urbanizëm, zyrtar i kulturës, zyrtarë inspeksioni, regjistrues të ndërtimeve pa leje, anketues të tatimit në pronë, performues të festave dhe të tjerë.