Tash avokati Gashi po thote: Kush ju tha me ftue Britanine për me hetue vdekjen e Deharit?!!!

Hetimi ndërkombëtar për vdekjen e aktivistit të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, në burgun e Prizrenit, mbetet ende nji kërkesë në letër e ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha.

Ajo i ka kërkue policisë metropolitane, ‘Scotland Yard’ nga Britania e Madhe, që me ardhë dhe me ba hetime shtesë, për m’i heqë dyshimet e ngrituna në Kosovë mbas publikimit të raportit të Mjekësisë Ligjore dhe Prokurorisë, ku thuhet se Astrit Dehari ka vdekë si pasojë e lëndimeve të vetshkaktueme.

Në kërkesën drejtue Scotland Yard, nga ana e Ministrisë së Drejtësisë dhe Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, thuhet se në pjesë të caktueme të opinionit publik, janë shfaqë dyshime në lidhje me integritetin dhe paanshmëninë e procesit të hetimit.

“Me qëllim të adresimit të këtyne shqetësimeve dhe për me sigurue besimin dhe kredibilitetin e publikut për këtë hetim, Ministria e Drejtësisë, së bashku me Kryeprokurorin e Shtetit, ftojnë dhe mirëpresin policinë metropolitane (Scotland Yard) që në mënyrë të ndamë me krye nji hetim në lidhje me këtë çashtje”, theksohet në kërkesë.

Lëvizja Vetëvendosje dhe përfaqësuesit e familjes Dehari, kanë ngritë dyshime në raportin e ekspertizës së kryeme në Prishtinë, kurse kërkesën drejtue ekspertëve nga Britania, familja Dehari e kishte cilësue si nji spektakël medial.

Avokati Tomë Gashi, përfaqësues i familjes Dehari, ka thanë për Radion Europa e Lirë se kërkesa e Ministrisë së Drejtësisë asht e vonueme. Siç thotë ai, Ministria ka pritë që të dalin rezultate dhe të mbyllet rasti, mandej ka kërkue hetim ndërkombëtar.

Simbas Gashit, për nji kërkesë të tillë, ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, asht dashtë me njoftue në mënyrë zyrtare edhe familjen e Astrit Deharit.