Bahtiri: Kjo asht arsyeja pse nuk po zhbllokohet ura mbi Ibër

Bazue në Marrëveshjen e Brukselit, të arritun në Gusht të vitit 2015 ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, heqja e barrikadës së ashtuquejtun “Parku i Paqes” dhe riparimi i urës kryesore mbi lumin Ibër, lum ky i cili ndan jugun dhe veriun e Mitrovicës, asht dashtë me përfundue deri në mes të Qershorit të vitit 2016, por kjo ende nuk ka ndodhë.

Agim Bahtiri, kryetar i komunës së Mitrovicës jugore, tue folë për Radion Europa e Lirë ka theksue se obstruksionet që vijnë nga strukturat komunale të Komunës së Mitrovicës së veriut, si dhe nga autoritetet e Serbisë, janë shkaktarët kryesorë që ura nuk asht lëshue për qarkullimin e njerëzve dhe automjeteve, ashtu sikurse ishte parapa në marrëveshje.

Simbas tij, autoritetet lokale të komunës së Mitrovicës së veriut, të mbështetuna nga autoritetet e Serbisë, kanë kushtëzue lirimin e urës kryesore mbi lumin Ibër, me përcaktimin e kufijve administrativ ndërmjet komunës veriore dhe asaj jugore të Mitrovicës.

“Mollë sherri”, simbas tij, asht fshati Suhodoll, të cilin komuna veriore pretendon se e ka nën zonën e saj administrative, ndërkohë që simbas Bahtirit, ajo asht pjesë e komunës jugore, gja që simbas tij e kanë konfirmue edhe zyrtarët e Bashkimit Europian.