Bajrami: Nuk asht parësore humbja e mandatit, por ruejtja e sovranitetit tonë

valdetebajrami

Shefja e grupit parlamentar të Nismës për Kosovën, Valdete Bajrami, ka thanë se ata si deputetë janë në krye të mandatit të tyne dhe në mbrojtje të sovranitetit të vendit.

Statusi i plotë i Bajramit:

NE JEMI NË MANDATIN TONË, E JU?

Ne, deputetët opozitar të Kuvendit të Republikës së Kosovës jemi në krye të mandatit tonë, në mbrojtje te kushtetutshmërisë e të ligjshmërisë, në mbrojtje të “tërësisë territoriale” të Republikës sonë, jemi në “mbrojtje të integritetit” të shtetit tonë, të qytetarëve të tij, jemi në mbrojtje të sovranitetit të shtetit dhe institucioneve të tij.

Jemi aty, ku u betuam kur e morëm edhe zyrtarisht mandatin tonë, duke u betuar se: “Unë, deputet i Kuvendit të Kosovës, i zgjedhur me votën e lirë , sot solemnisht betohem se me ndershmëri e me sinqeritet, me përkushtim dhe devotshmëri , me tërë qenien time, me të gjitha aftësitë e mia do të punoj në interes të Kosovës dhe të të gjithë qytetarëve, do të angazhohem në mbrojtjen e respektimin e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë, në mbrojtjen e tërësisë territoriale dhe të integritetit institucional të Kosovës, në garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut në pajtim me ligjet e vendit dhe me standardet evropiane.” Betohem!

Ne, i mirëkuptojmë shqetësimet e secilit njeri për mandatet tona, por kjo nuk është esenca e çështjes. Çështja është, jemi apo nuk jemi në mandatin tonë si përfaqësues të qytetarëve tanë, jemi apo jo në mbrojtje të institucionit më të lartë ligjvënës dhe në mbrojtje të kushtetutshmërisë e të ligjshmërisë. Apo duhet që secili të merakosemi për obligimet tona ndaj publikut tonë?

Për ne, deputetët e NISMËS për Kosovën, të përcaktuar për liri, drejtësi e solidaritet në shoqërinë tonë, nuk është parësore humbja apo jo e mandatit tonë si deputetë, parësore është të jemi në mandatin tonë si përfaqësues të zgjedhur të popullit tonë, të jemi mirë me Betimin tonë, të jemi mirë me integritetin e sovranitetin e shtetit tonë, të jemi mirë me ndërgjegjen tonë, në rend të parë si njerëz!

Ndërsa atyre që merakosen për pagat e fatet tona personale u themi: Merakoseni për obligimet tuaja që keni për tërësinë territoriale e sovranitetin e shtetit tonë!NE JEMI NË MANDATIN TONË, E JU?