Banka Botnore ende s’ka vendim për Termocentralin ‘Kosova e re’

Përderisa zyrtarë të Qeverisë së Kosovës thonë se Banka Botnore asht zotue për me mbështetë ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, banka tha për BIRN se nji vendim i tillë nuk asht marrë ende.

Nji vit mbasi Qeveria tha se ka arritë nji marrëveshje me Bankën Botnore dhe kompaninë amerikane “Contour Global” për ndërtimin e nji termocentrali të ri, banka asht ende larg nji vendimi për me mbështetë atë.

“Banka Botnore ka me marrë nji vendim nëse ka me mbështetë projektin e termocentralit të Kosovës vetëm atëherë kur të kryhen analizat relevante mjedisore, sociale dhe teknike. Janë ba konsultime me publikun dhe Bordi i Bankës si dhe akcionarët e saj i kanë dhanë projektit konsideratën e duhun”, tha Banka Botnore për BIRN.

Ma tej, Banka ka thanë se asht e përkushtueme për me ndihmue Kosovën që m’i zgjidhë problemet me energji nëpërmjet nji strategjie gjithëpërfshimëse që përfshin rritjen e eficiencës së energjisë, zhvillimin e energjisë së ripërtëritshme, integrimin e Kosovës në tregun rajonal të energjisë dhe mbështetjen e gjenerimit të energjisë që asht e sigurt dhe e përballueshme për qytetarët.

Në Nandor të vitit të kaluem, Qeveria bani të ditun se ka arritë nji marrëveshje me kompaninë amerikane “Contour Global” për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.