Bashkë me valën e migrantëve, edhe vllau i Kryeministrit Isa Mustafa ka kërkue azil në Francë e Gjermani

Njani prej dy vllazënve të Kryeministrit Isa Mustafa, ka kërkue azil në dy shtete të Bashkimit Europian: Francë dhe Gjermani. Të dyja shtetet ia kanë refuzue kërkesën.

Ragip Mustafa kishte migrue me valën e refugjatëve për shkaqe shëndetësore. Kërkonte me u operue në zemër. Ai kishte kërkue azil në kohën kur Kryeministri Isa Mustafa, e kishte vizitue Gjermaninë.

Atë kohë Kryeministri nuk kishte shpreh ndjeshmëni për valën e migrimit. Kishte thanë se ata që po largohen kanë iPhone, pare e rroga të mira.

Ragip Mustafa ishte në pritje të përgjigjes nga shteti gjerman nëse do t’i pranohej azili, në kohën kur Garda Federale në Berlin ishte rreshtue për ta nderue vëllain e tij, që asht Kryeministër i Kosovës.

Udhëtimi i vllazënve Mustafa në Qershor të vitit të kaluem ishte i njikohshëm, por i realizuem në rrugë tjera.

Ragipi kishte hy ilegalisht në Gjermani me valën e refugjatëve, derisa Mustafa po e vizitonte Berlinin, për herë të parë në cilësinë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës.

Nikoqirja gjermane, Angela Merkel ia kishte ba të qartë Isa Mustafës se azilkërkuesit kosovarë nuk kanë shanse për azil në Gjermani.

Azilkekuesi asht detyrue që mbas disa ditëve të largohet nga Gjermania, mbasi autoritetet ia kishin refuzue kërkesën. Ai duhej të kthehej në Francë, në vendin që kishte kërkue fillimisht azil.

Kryeministri Mustafa gjatë takimit me Merkel, zotohej për kushte të mira për të gjithë qytetarët e vendit.

“Kosova asht vend i sigurt dhe na kemi me i zgjidh problemet tona, në mënyrë që të krijohen kushte sa ma të mira për të gjithë qytetarët”, kishte thanë ai.

Por, kushtet prej atëherë nuk janë përmirësue, konkretisht sistemi shëndetësor.

Kritikat ma të mdha qeverisjes i drejtohen për keq menaxhimin e spitalit ma të madh publik në vend, Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

insajderi

Rrugëtimi i Ragip Mustafës:

Vllai i Kryeministrit Isa Mustafa, ka migrue vitin e kaluem ilegalisht përmes Serbisë për me hy në Hungari, në shtetin e parë të BE’s. Ai kishte shkue në Francë, e kishte kërkue azil për shkak të problemeve shëndetësore.

Shteti francez ia kishte refuzue kërkesën.

Ai ma mbas shkoi në Gjermani. Edhe shteti gjerman ia refuzoi kërkesën sepse simbas rregullave të Bashkimit Europian, kur nji shtet anëtar i refuzon dikujt kërkesën për azil, kjo vlen për gjitha shtetet tjera.

Gjermania i kishte thanë se duhej të kthehej në Francë.

Insajderi ka sigurue aplikacionin e Mustafës për azil në Gjermani. Në të jepen të dhana të shumta për të, për kohën kur ka hy në shtetin gjerman, rrugën që ka ba, etj. Aty saktësohet se në Hungari si shteti i parë i BE’s, kishte hy nga Serbia.

Mustafa (1958), aplikimin për azil e ka ba në landin Rheinland Pfalz në Gjermani, me 22 Qershor 2015.

Në dokumentin e aplikimit për azil shënohet se i njajti në 2014’n ka ba kërkesë për azil në Francë.

Shtrimi në spital.

Burime nga qendra për azil i kanë tregue Insajderit se Ragip Mustafa kishte tregue se asht vëllai i Kryeministrit të Kosovës.

Insajderi ka mësue se për shkak të gjendjes shëndetësore, Ragip Mustafa ishte shtri në spitalin Charité në Berlin, ku qëndrue dy ditë.

Mbas trajtimit, ai duhej të kthehej në Francë që ishte vendi i parë ku kishte kërkue azil.

“Nuk e kemi pa ma. Vetëm asht zhduk. Thuhej se ishte transferue në Francë”, kanë thanë burimet.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, ka refuzue me komentue aplikimin për azil të vëllait të tij.

Zyra e Kryeministrit për ma shumë se tri javë s’asht përgjigj në pyetjet e Insajderit.

Por burime nga Qeveria kanë thanë se vendimin për mos me u përgjigj Kryeministri Mustafa e ka marrë basi që vajza e Ragip Mustafës ka mohue se i ati i saj kishte kërkue azil në Gjermani.

Ajo i ka thanë Kryeministrit se baba i saj Ragipi, ka qenë vetëm deri në Hungari.

Ragip Mustafa tashma asht kthye në Kosovë.