BE konfirmon për Rokum TV: Njajtë si në Hagë, seancat e Speciales live në RTK

Ju kujtohen këto pamje? Janë seancat e Tribunalit të Hagës, që u ngritë për me gjykue krimet e luftës në Ish-Jugosllavi, e t’cilat i kemi pa në transmetim të drejtpërdrejtë në Televizionin Publik të Kosovës.

E nji tribunal i tillë, i quejtun Gjykata Speciale asht krijue për me i gjykue krimet e pretendueme të pjestarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila pritet me e nisë punën në pjesën e dytë të këtij viti.

Shpeshë herë janë ngritë paralele ndërmjes kësaj gjykate dhe asaj të Hagës, përfshi edhe transparencën, e bash për këtë, Televizioni Rrokum u interesue pranë Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë.

Përmes nji përgjigjjeje elektronike, Bashkimi Europian i tha Televizionit Rrokum se seancat janë publike, përveç nëse trupi gjykues vendos me e zhvillue ndonjanën prej seancave në dyer t’mbylluna.
“Bazue në parimet standarde të të drejtave të njeriut dhe të Ligjit për Dhomat e Specializueme dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuem, seancat janë publike, përveç nëse trupi gjykues vendosë me zhvillue, seancë me dyer të mbylluna, në pajtim me Rregullat e Procedurës dhe Provave”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE’s.

E sa i përket transmetimit direkt në Televizionin Publik, Bashkimi Europian deklaron se këto çashtje kanë me u vendosë sapo që Dhomat kanë me u ba plotësisht funksionale.

Modalitetet konkrete (tue përfshi edhe transmetimin) janë çashtje për të cilat ka me u vendosë sapo që Dhomat e Specializueme të bahen plotësisht funksionale. Rregullat e Procedurës dhe Provave kanë me u miratue nga gjyqtarët e Dhomave të Specializueme sa ma parë që të jetë e mundun, mbas emërimit të tyne. Normalisht, seancat kanë me u zhvillue me dyer të mbylluna vetëm në rrethana të veçanta, si për shembull për arsye të sigurisë, të mbrojtjes së jetës private, të ndjeshmërive të jashtëzakonshme etj”, thuhet në përgjigjem e Zyrës së BE’s për Televizonin Rrokum.

Ndërsa transmetimin e drejtpërdrejtë të seancave në Televizionin Publik të Kosovës, e ka konfirmue përmes telefonit edhe Drejtori i Përgjithshëm Mentor Shala. Ndërsa këshilltari i Presidentit të zgjedhun, Hashim Thaçit, Ardian Arifaj, po përmes telefonit i ka thanë Televizionit Rrokum se gjithçka ka me qenë transparente, mirëpo nuk ka kallxue nëse Televisioni Publik ka me e pasë të drejtën e transmetimit të seancave gjyqësore.

Në këtë mënyrë, njajtë si me proceset e Hagës, edhe për Gjykatën Speciale, kosovarët kanë me pasë mundësi që përmes transmetimit të drejtpërdrejtë me i pa në fytyrë të akuzuemit për krime të ndryshme, derisa kanë me ndjekë po drejtpërdrejtë edhe dëshmitë e rreth 400 dëshmitarëve, që simbas disa mediumeve të hueja, janë marrë në mbrojtje deri tash nga Gjykata.