BE thirrë në takim urgjente Kosovën e Serbinë

Me ftesë të Bashkimit Europian, delegacioni i Kosovës i udhëhequr nga ministrja për Dialog Edita Tahiri, ka udhëtue për në Vjenë për me marrë pjesë në takimin urgjent të ftuem nga BE në lidhje me njohjen reciproke mes dy shteteve të certifikatave për transportin e mallnave të rrezikshme të njoftuna si ADR (the European Agreement concerning the International Carriage of Dangerous Goods by Road).

Zyra për Informim e Qeverisë së Kosovës në njoftimin për media, thotë se përpjekjet e BE’s për zgjidhjen e çashtjes për njohjen reciproke të certifikatave ADR janë në përkrahje të zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit për tregtinë e lirë mes dy shteteve të arritun në vitin 2011 dhe në pajtim me parimet e CEFTA’s.

Për këtë çështje është biseduar në Bruksel gati më shumë se shtatë muaj me kërkesën dhe insistimin e ministres për Dialog Edita Tahiri, që nga koha kur Serbia bllokoi importet nga Kosova. Mirëpo, Serbia nuk tregoi gatishmëri që përmes dialogut të Brukselit të arrihet marrëveshja për njohjen reciproke të certifikatave të ADR-së, edhe pse më parë ishin arritur marrëveshje për njohjen reciproke të certifikatave fitosanitare dhe të produkteve famaceutike. Si kundërpërgjigje për mosgatishmërinë e Serbisë dhe vënien e bllokadës për importin nga Kosova në kundërshtim me CEFTA-n, Qeveria e Kosovës mori vendim për masa reciprociteti për mosnjohjen e certifikatave dhe ndaloi importin e mallrave të rrezikshme nga Serbia, vendim ky të cilin e mori Ministria për Tregti dhe Industri.
Qëndrimi i Qeverisë së Kosovës është se derisa të mos arrihet marrëveshja me ndërmjetësimin e BE-së për njohjen reciproke të certifikatave të ADR-së, masat e reciprocitetit nuk do të hiqen.
Ministria për Dialog thuhet ta ketë njoftuar rregullisht BE-në për këto zhvillime duke argumentuar se “sjellja e Serbisë është në kundërshtim me parimet evropiane për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë, e cila rezultoi në thirrjen urgjente të këtij takimi”.

Takimi i parapamë me u mbajtë në Bruksel ka me u mbajtë në Vjenë, për arsye se aeroporti i Brukselit ende s’asht hapë për qarkullim të lire mbas ngjarjeve tragjike të ditëve të fundit.

Në delegacionin e kryesuem nga ministrja Tahiri asht edhe Hykmete Bajrami, ministre në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Gazmir Raci, këshilltar politik i ministres Tahiri dhe koordinator i çashtjes, Fejzulla Mustafa, Udhëheqës i Sektorit të Transportit të Mallnave të Rrezikshme në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Bekim Mehmetaj, udhëheqës i sektorit IBM në Doganën e Kosovës.