Bekim Çollaku: MSA hyn n’fuqi me 1 Prill

bekimcollaku

Marrëveshja për Stabilizim Asociim në mes të Kosovës dhe Bashkimit Europian hyn në fuqi për pak ditë, me 1 Prill, ka paralajmëru ministri Bekim Çollaku.

Simbas tij, kjo asht nji kthesë historike që ridefinon marrëdhanien ndërmjet Kosovës dhe BE’s, tue sjellë përfitime dhe mundësi të reja për dinamizimin e procesit integrues të vendit tonë.

Ky asht shkrimi i plotë:

Hyrja në fuqi e marrëveshjes, dobitë dhe hapat e radhës

Brenda pak ditësh, më 1 Prill, do të hyj në fuqi Marrëveshja për Stabilizim Asociim ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës. Presim që së bashku me bashkë-nënshkruesin tonë, Komisionerin Hahn ta organizojmë një ngjarje për të shënuar këtë arritje të përbashkët brenda këtij muaji.

Kjo marrëveshje është kulmi i përpjekjeve dhe përkushtimit në agjendën evropiane të më shumë se një dekade e gjysmë të institucioneve të Kosovës, dhe të njëjtën kohë paraqet një fillim të ri që i hapë rrugë, përshpejton dhe e përforcon procesin të integrimit evropian me qëllim të anëtarësimit në Bashkim Evropian. Nga 1 prill 2016 e tutje, fati i Kosovës dhe Bashkimit Evropian do të lidhet më ngushtë se kurrë më parë, dhe kjo është një gjë e mirë për të dy palët.

Në qershor të vitit 1999, në kohën kur Kosova sapo doli nga një luftë e përgjakshme që përfundimisht solli lirinë, para nesh filloi hapja edhe e një perspektive tjetër të rëndësishme. Bashkimi Evropian lansoi politikën e vet për Ballkanin Perëndimor, pra Procesin e Stabilizim Asociimit. Kjo politikë e re dhe ky proces, u themelua me idenë që një ditë vendet e Ballkanit Perëndimor do të gëzonin anëtarësimin eventual në BE. Si instrument kryesor ky proces kishte Marrëveshjet e Stabilizim Asociimit. Për të shkurtuar një histori të gjatë, kryesisht për shkak të rrethanave dhe konsideratave politike, nga lindja e Procesit për Stabilizim Asociim u deshën plot 14 vite, pra deri në tetor të vitit 2013, për të filluar negociatat mes nesh dhe Bashkimit Evropian për arritjen e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Këtë marrëveshje të parë kontraktuale midis BE-së dhe Kosovës së bashku me Kryeministrin Isa Mustafa e nënshkruam më 27 tetor të vitit të kaluar. Nga atëherë kjo ka marrëveshje ka marrë pëlqimin e Parlamentit Evropian dhe është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës.

Pavarësisht rëndësisë vërtetë të madhe që ka dhe faktit që kjo marrëveshje do t’i sjellë shumë dobi qytetarëve të Kosovës, nuk ka qenë fare e lehtë për t’i komunikuar këto dobi në mënyrë efektive. Disi shpesh thuhet se dobitë janë të pakapshme apo të paprekshme për qytetarët. Por MSA do të sjellë dobi të shumta që prekin rrafshet politike, ekonomike, të përafrimit të legjislacionit, që si rezultat do të përmirësojnë institucionet, dhe mjedisin e biznesit, dhe do të ndikojnë edhe në mirëqenien e të gjithë qytetarëve.

Sa i përket pjesës politike, kjo marrëveshje nënkupton që marrëdhënia mes BE-së dhe Kosovës nga tani është e natyrës kontraktuale. Kjo do të thotë se nga njëra anë Kosova merr përsipër që të zbatoj një agjendë edhe më ambicioze të reformave, të drejtuar kah zhvillimi politik, ekonomik dhe social, dhe nga ana tjetër BE-ja zotohet që t’i mundësoj Kosovës të gjitha instrumentet që ka në dispozicion, përfshirë ato financiare, që të arrihet zbatimi i këtyre reformave, në mënyrë që Kosova të përmbushë kriteret e anëtarësimit. Qëllimi i përbashkët i dy palëve është thellimi i procesit integrues të Kosovës dhe përshpejtimi i anëtarësimit të saj në BE, duke krijuar incentivë që Kosova të përmbush Kriteret e Kopenhagës.

Nga pikëpamja ekonomike, MSA përforcon marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare në mes të Kosovës dhe BE-së duke krijuar gradualisht një zonë të tregtisë së lirë në mes të BE-së dhe Kosovës. Kjo do të ofroj qasje në produkte të cilësisë së lartë me çmime të favorshme për qytetarët dhe bizneset. E mundëson eksportin pa doganë për produktet vendore në një treg me mbi 500 milionë konsumatorë. Integrimi më i ngushtë i ekonomisë së Kosovës me tregun e vetëm të BE-së do të ketë ndikim pozitiv në tërheqjen e investimeve të jashtme. Ndër të tjera, MSA-ja ofron mbështetje teknike dhe financiare për reformat ekonomike të Kosovës që do të qojë drejtë përforcimit të një ekonomie funksionale të tregut e cila do të jetë në gjendje të përballet me presionin konkurrues të tregut të BE-së.

Por hyrja në fuqi do të thotë edhe obligime të reja. Gjatë këtij viti, institucionet e Kosovës duhet të ndërmarrin veprime të shumta në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim. Qeveria i ka paraparë të gjitha këto veprime përmes Programit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, i cili është miratuar së fundmi edhe nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Ky program është dokumenti kryesor nacional i politikave për aderim në BE dhe qëllimi parësor i programit është përmbushja e detyrimeve të MSA-së brenda afateve të parapara me këtë marrëveshje.

Prandaj këtë vit por edhe në vitet në vazhdim na pret një punë e madhe në zbatimin e këtij programi. Zbatimi i kënaqshëm i MSA-së brenda tri viteve të para, do t’i sjell Kosovës mundësinë që të bëjë hapin e radhës në rrugën e vet integruese, që është aplikimi për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.