Ben Blushi krijon parti?!

Nga fundi i muejit Tetor të këtij viti ka me dalë në skenë nji lëvizje e madhe politike e kryesueme nga deputeti Ben Blushi.

Ma në fund sistemi trepolar politik në Shqipni ka me u ba katërpolar, tue zhba forcën e tre partive të mëdha, njofton sot jo pa entuziazëm të dukshëm gazeta “Koha Jonë” e Nikoll Lesit.

Tue ditë marrëdhaniet e ngushta të Lesit me deputetin ende socialist Ben Blushi, lajmi ka gjasa me qenë real.

 

Qe çfarë shkruen kjo gazetë në lidhje me këtë ngjarje politike të pritshme

Mësohet nga burime të brendshme të kësaj Lëvizje të madhe politike se do të jetë parti e qendrës ku do të përfshihen emra nga krejt shoqëria civile e cila ka deshirën për një ndryshim të madh të mënyrës së administrimit të pushtetit dhe politikës. Siç ka thënë edhe deputetja Mimoza Hafizi që politika e sotme është e inkriminuar dhe antipopullore, pikërisht forca e re politike e kryesuar nga Ben Blushi do të nis me një uragan kundër kësaj tradite 25 vjeçare inkriminuese duke synuar që në zgjedhjet e radhës parlamentare të jetë parti vendimtare në qeverisjen e ardhshme.

Lëvizja e re politike do të përfshijë gjitha shtresat dhe pa ndonjë përcaktim strik politik, nëse është i djathtë apo i majtë. Duan të ndryshojnë frymen e drejtimit të një pushteti, që të jetë përkrah njërëzve e jo grupeve të interesit ekonomik, grupe të cilat financojnë politikën dhe vjedhin më pas nga politika. Këtë duan ta shkatërrojnë si traditë të keqe Ben Blushi dhe partia e tij politike.

Partia e re do të jetë e krijuar dhe e shpallur nga fundi i muajit tetor dhe më pas do dalin në çdo njësi familjare shqiptare për ti bindur për lëvizjen e re politike.

Ka informacione se partia e re politike ka dy kushte të prera pas zgjedhjeve parlamentare:Nuk pranojnë Edi Ramën dhe Sali Berishën kryeministër dhe në asnjë post tjetër. Me çdo faktor tjetër politik mund të bien dakort për një Shqipëri tjetër.