Beogradi: Preambula për Kosovën nuk ka me ndryshue

As që mundet me u ba fjalë për ndryshimin e Preambulës së Kushtetutës së Serbisë, në të cilën theksohet se Kosova asht pjesë e Serbisë. Kështu kanë reague autoritetet e Serbisë, vetëm nji ditë mbas deklaratave të ministres për Dialog e Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri, e cila në nji intervistë për Radion Europa e Lirë ka theksue se nga Serbia ka me u kërkue që me heqë dorë nga Kosova në Kushtetutën e saj.

“Nji çashtje e randësishme asht që duhet me pasë edhe marrëveshje, e cila ka me qenë ligjërisht e obligueshme në fazat vijuese dhe na si për fillim kemi kërkue që tash asht koha Serbia me nxjerr nga Kushtetuta e saj, pra nga preambula Kosovën. Sepse, nuk mundet me ndodh fqijësia e mirë me nji kushtetutë kontraverse të Serbisë”, ka thanë ministrja Tahiri.

Por, Marko Djuric, shef i Zyrës për Kosovën i Qeverisë teknike të Serbisë, në mënyrë kategorike ka hedhë poshtë mundësinë që Serbia me heq Kosovën nga kushtetuta e saj.

“Komenti im për këtë asht që Prishtina duhet që në Kushtetutën e krahinës (siç e quen ai Kosovën) sa ma parë ta fus Serbinë, sepse kjo asht mënyra e vetme që të prezentohet në bashkësinë ndërkombëtare. Siç e dimë, ajo nuk asht as anëtare e Kombeve të Bashkueme e as ndonji trupi ndërkombëtar, përveç atyne në të cilat mbase janë ‘trafikue’ dhe në të cilët janë anëtare territore të caktueme, që nuk janë të njohuna si shtete sovrane”, ka thanë Djuric për televizionin publik të Serbisë.