Blindohet sfida Shqipni-Izrael: Kapet militanti i ISIS me tritol!

Ndërsa “Elbasan Arena” pret sfidën Shqipni-Izrael, e vlefshme për eliminatorët e Botnorit Rusi 2018, ambientet rreth stadiumit dhe rrugët kryesore te qytetit kanë pak njerëz.

Reshjet e shiut, moti i ftohtë dhe masat e shumta të policisë, kanë ba që atmosfera festive që zakonisht i paraprin takimeve të kombëtares, të jetë ma e nxetë.

Deri ne orën 17.00, tifozët duhet të jenë futë në stadium për shkaqe sigurie.

Policia banii të ditun se ata do t’i nënshtrohen nji kontrolli të rreptë.

Asnji send i fortë, si pare, çelësa, fishekzjarrë, kapsolla, flakadanë, flamuj me shkopij madje as shishe uji dhe çadra, nuk do të lejohen.

Policia në bashkëpunim me agjentët izraelitë, kanë largue mjetet e parkueme në afërsi te stadiumit “Elbasan Arena”, ndërsa lokalet jane mbyll.

Mbi dy mijë trupa policore, përfshi dhe ato speciale, ndodhen në qytet të vendosuna simbas planit të masave të miratueme pak ditë ma parë.

Kontrolli në ambientet e mbrendshme të stadiumit kryhet nga Forcat e Lëvizshme Operacionale në Policinë e Shtetit.

Ndërsa mes tifozëve do ketë prani të madhe të agjentëve të Shërbimit Informativ.

Ndërkohë lëvizja në rrugën Tiranë-Elbasan përmes tunelit, do jetë e lirë deri në orën 17.30.

Masat ekstreme te sigurisë vijne mbas të dhanave për sulme të mundshme terroriste gjatë ndeshjes.

Ndërkohë pikërisht në prag të ndeshjes, policia bani të ditun se ka arrestue nji të dyshuem si militant të Shtetit Islamik.

Ervin Duka nga fshati Guras i Pogradecit u arrestue nga policia sepse mbante municione dhe tritol në banesën e tij.

Arrestimi i tij asht kërkue me urgjencë nga policia, ndërsa prokuroria dha menjiherë miratimin mbas informacioneve për eksplozivin.

29-vjeçari, baba i nji fëmije, asht i paralizuem pjesërisht për shkak se në vitin 2014 ka marrë pjesë si militant i ISIS në luftimet në Siri.

Si i kthyem nga lufta ai mbahej nën vëzhgim të rreptë deri ditën e Premte, kur edhe asht arrestue.

Burime nga prokuroria dhe policia konfirmojnë se Ervin Duka ka qenë militant i ISIS në Siri dhe ka ik atje me nji grup të rijsh nga ky fshat i thelle malor.

Mësohet se të rijtë që ikën, disa prej të cilëve tue marrë edhe familjet, ishin nën ndikimin e imamëve të vetëshpallun në Tiranë, të cilët u arrestuen dhe u akuzuen.