Blushi: Nëse ka nji mocion, jam gati me rrxue Ramen!

Ben Blushi pritet që mbas disa ditësh me prezentue projektin e tij politik, për të cilin asht fol ditën e fundit.

Ben Blushi sqaron qendrimet e tij politike dhe idetë që kërkon me i vnu në zbatim.

I ftuem në studion e “News 24”, në emisionin “Studio e hapun” të gazetares Eni Vasili, Ben Blushi ju asht përgjigj pyetjeve të opinionistëve Robert Rakipllari dhe Alfred Lela.

Blushi tha se palët politike në vend janë të ngjashme… 

 

Kjo asht intervista e plotë e marrë nga Mapo.al

 

Eni Vasili: Opinionin e kryeministrit e dëgjuat. Çfarë mendoni, e pyeta për largimin tuaj, tha s’keni bërë asnjë punë…

Ben Blushi: Edi Rama nuk ka kapacitetin për të vlerësuar punët me të cilat unë jam marrë, por sigurisht një nga punët që unë kam bërë është fakti që është aty ku është. Kjo është e vërtetë.

Eni Vasili: Që do të thotë?

Ben Blushi: Një nga punët që unë kam bërë në jetë i ka prirë si të thuash Edi Ramës, sepse edhe për shkakun tim është aty ku është edhe në politikë edhe si kryetari i PS. Nuk ka kapacitet për të vlerësuar këtë gjë dhe unë nuk dua t’i hyj këtij debati. Nuk kam asnjë interes të bëj debat me anëtarët e Rilindjes, por diçka sigurisht mund ta them. Dikur kur e pashë thashë me vetë çfarë sovjetiku është ky, që mendon edhe se librat e një shkrimtari janë produkt i partisë. Se këtë mendon. Vetëm në kohën e Partisë së Punës ata që drejtonin këto idiotësira thoshin shkrimtarët janë produkt i partisë. Kështu foli edhe Edi Rama, sigurisht është një njeri shumë i vjetër. Unë kam dalë për ta mundur atë dhe të gjithë ata që janë si ai. Është tmerrësisht i vjetër ka 18 vite në politikë dhe kam përshtypjen është duke na lodhur të gjithëve.

Robert Rakipllari: Po një “mea cupla” që ke ndihmuar që ai të bëhet kryeministër?

Ben Blushi: Kjo është një mënyrë gazetareske për të deformuar atë që thashë. Ajo për të cilën jam përpjekur dhe nuk bëhem pishman, është që partia ku isha të vijë në pushtet. Nuk kam kërkuar që një njeri të bëhet kryeministër dhe të privatizojë partinë.

Robert Rakipllari: Brenda PS thuhet se ju e bëni këtë se nuk keni qenë në ekipin e zotit Rama për të qeverisur vendin…

Ben Blushi: Zoti Rama ka qenë në ekipin tim. Në fakt ditën kur e kam marrë, po nuk dua se i takojnë një faze më të shtyrë të jetës sime. Nuk kam shumë kohë të merrem me Edi Ramën se është humbje kohe

Robert Rakipllari: Po Edi Rama është kryeministër i vendit…

Ben Blushi: Dua të flas për projektin tim zotëri. Ky i tiji është një projekt i dështuar ku nuk bëj më pjesë.

Alfred Lela: Një grupim ish-kolegësh, miqsh flasim për zemërimin tuaj, këtë lloj distance, sulmi e keni bërë se Rama s’ju ka dhënë postin e një ministri…

Ben Blushi: Për njerëzit që më njohin, e dinë që unë kam ikur në përgjithësi nga punët që kam pasur. Kam qenë kryetar i grupit parlamentar dhe ika, nuk më konkurronte njeri.

Alfred Lela: Kush donte ta zinte vendin?

Ben Blushi: Askush nga ata. E lashë për moral. Siç kam qenë disa herë për të ikur nga qeveria. Këta që më kujtojnë punët, dua t’ju kujtoj se Rama ka që nga viti 1998 që është vetëm në pushtet, 18 vjet. 18 vjet barrë. Kë përfaqëson? Shekullin e kaluar, është i vetmi kryeministër që qeveris që nga shekulli i kaluar, nuk ka në Europë. Është po aq i vjetër sa Saliu. Ky është një debat i mbyllur, nuk dua të bëj debat me punëtorët e Edi Ramës në ndërmarrjen Rilindja.

Alfred Lela: Po bëjmë një parashikim, në qershor-korrik a do pranoni ju një aleancë me zotin Rama?

Ben Blushi: Bëjmë çfarë parashikimesh të doni, Por po ju them se ky projekt politik akoma nuk është publik. Kam 3 apo 4 muaj që nga qershori që kam vendosur të iki nga Rilindja. Ne jemi një grup i madh me shumë shqiptarë të zakonshëm, njerëz të lirë në një kuptim.

Eni Vasili: Sa shumë mund të kemi një ide?

Ben Blushi: Nuk ka rëndësi të të them nga 1 mijë deri 2 mijë. Po them se jemi shumë njerëz për të krijuar një program të ri politik që do ta shpallim shumë shpejt. Nuk është vendimi im por vendimi një grupi të madh njerëzish prandaj unë nuk e di çfarë do bëjmë në 2017. Ajo që unë di është se për çfarë do qëndrojmë ne, çfarë do mbrojmë, cilat shtresa të shoqërisë do apelojmë, çfarë politikash ekonomike do ndjekim, si do organizohemi. Vetëm pas këtyre gjërash do shohim raportin me partitë e tjera, të cilat sot nuk janë në fokusin tonë.

Eni Vasili: Duhet ta keni një ide se çfarë do bëhet me partitë e tjera…Duhet të ketë një lloj koherence në rast se ju thoni se Edi Rama është një e keqe kaq e madhe..

Ben Blushi: Ky nuk është vendimi im është një lëvizje…Nëse do kisha një votë nuk do ta jepja që Edi Rama të jetë sërish kryeministër, në asnjë rast. Kjo është e sigurt. Në parlament apo jashtë parlamentit nuk do ta jap kurrë.

Alfred Lela: Nëse ka një mocion mosbesimi për qeverinë ju do jepni votën?

Ben Blushi: Unë jam në opozitë zoti Lela, Kam dalë me vullnet në opozitë…

Alfred Lela: Kur thoni në opozitë jeni edhe me Bashën?

Blushi: Jo jo, jam në opozitë, por opozita nuk është Basha. Unë jam në opozitë me qeverinë. E nuk ka lidhje me Bashën. Opozita nuk barazohet me Bashën. Në këto 25 vite a ke parë një njeri që të ketë ikur nga qeveria në opozitë. Kjo nuk ka ndodhur, ndërsa e kundërta ndodh rëndom. I janë shtuar 7 mandate qeverisë pasi ikën nga opozita. Nëse ka qoftë edhe një mundësi për ta rrëzuar këtë qeveri, unë votoj pro.

Eni Vasili: Rama javën e kaluar tha se nuk është e vërtetë se i kemi kërkuar ndonjëherë votën Blushit.

Blushi: Më janë lutur. Në Korrik ky drejtori i Rilindjes, bashkë me punëtorët e vet më janë lutur në kuptimin e plotë të fjalës që t’i mbaja në pushtet në kohën kur menduan se Meta po ikte. Më janë lutur për t’i votuar se s’kishin numra. Në korrik qeveria pothuajse po binte.

Rakipllari: Roli juaj është i paqartë në gjithë këtë histori… Çfarë ka ndodhur?

Blushi: Roli im?! Kur qeveria rrezikonte të dilte në pakicë për shkak të mungesës së numrave në Parlament, na kërkuan që unë dhe Hafizi të mbështesnim qeverinë. Kam kërkuar vetëm një gjë, sepse unë nuk kisha dalë nga PS në atë kohë, isha akoma de jure. Kam dalë para një javë, që më çliron nga disa detyrime. U thashë që kjo mund të ndodhë vetëm me një kusht, që të kthenin zgjedhjet e lira brenda PS. Për sa kohë hoqët zgjedhjet dhe më hoqët mua dhe shumë të tjerëve mundësinë të zgjedhin dhe të zgjidhen, atëherë mund ta jap votën tuaj për ju.

Eni Vasili: Pra Edi Rama gënjen thoni ju me këtë përgjigje?

Blushi: Po kushdo që njeh Ramën dhe mua e di që unë s’e kam këtë zakon të paktën.

Rakipllari: Projekti juaj politik tashmë është bërë i ditur për publikun. Ne njohim vetëm besueshmërinë tuaj si figurë politike, qëndrimin tuaj kritikues brenda mazhorancës, shpeshherë me të drejtë, dhe sot keni një staturë politike më të lartë sesa e kishit në 2013, kur i kërkuat shqiptarëve të votonin Ramën kryeministër.

Blushi: Nuk e kam kërkuar këtë, kam kërkuar të votojnë PS.

Rakipllari: E keni thënë kur keni dalë me Ramën në fushatë, keni qenë kryesues në qarkun e Elbasanit

Blushi: Ne hymë në një palë zgjedhje për të sjellë në pushtet partinë ku bëjmë pjesë, që përcjell mendimet apo idetë që ne kemi. Unë nuk kam dalë që të sjell një njeri në punë, apo t’i gjej një punë Edi Ramës. Kam hyrë në politikë për të mbështetur disa mendime apo ide që kam. Kur pashë që ajo parti ku isha nuk i përfshin më këto ide, kam dalë. Shkoj pas ideve, jo pas njerëzve, dhe kjo më dallon.

Rakipllari: Në këtë moment ne dimë vetëm Blushin, por jo projektin tuaj politik. A është projekt ideologjik apo pragmatik?

Blushi: Unë nuk kam bërë asnjë deklarim. Ky nuk është vendim personal por i shumë njerëzve, të cilët kanë po aq të drejtë sa unë. Unë dua mos kem të drejtën që të kem çdo të drejtë. Ne përpiqemi të krijojmë një projekt politik që do përpiqet të garojë në zgjedhje, pra kërkon mbështetje për idetë e veta. Do të kërkojë mbështetje në territor. Por për sa kohë ky projekt është i pashpallur, brenda disa ditëve do të jetë publik, do të gjykoni atëherë nëse do jetë ideologjik, pragmatik apo i qendrës. Nuk mund të flas për një gjë që nuk është publike.

Rakipllari: Projekti juaj është i majtë, i djathtë apo i qendrës?

Blushi: Ne ende nuk jemi shpallur me një projekt të një force politike, pasi kështu duhet të jetë që në ditën e parë të saj. Ky do të jetë një projekt kryesisht në qendër. Parë nga pozita e Alfred Lelës unë mund të dukem më djathtas nga sa do të donte ai të isha, sepse ai do donte që unë të isha një ekstrem i majtë. Spektri politik është nga ekstremi i majtë në ekstremin e djathtë, kjo detyron shumë njerëz si Alfredi që ta kthejnë kokën njëherë djathtas, një herë majtas. Unë nuk u iki fare ideve të mia. Po përpiqem të pajtoj idetë e mia me të tjerët. Ky nuk është projekt personal i imi. Po përpiqem të pajtoj idetë e mia me njerëz që nuk mendojnë njësoj si unë. Duhet të gjejmë të mesme që janë të pranueshme për të gjithë. Çfarë po ndodh sot në Shqipëri? Për arsye që mund t’ua argumentoj po flas për partitë e mëdha, kemi dy parti të djathta, që konkurrojnë me njëra-tjetrën, dhe prandaj ndajnë gjithnjë e më pak elektorat, dhe janë gjithnjë e më pak të dallueshme nga njëra-tjetra, këto janë Rilindja dhe PD-ja. Këto të dyja janë identike, dhe parë nga pozita e tyre…

Eni Vasili: Të kthehemi te thelbi. Janë të shumtë ata që mendojnë që Blushi i takon ekstremit të majtë.

Blushi: Nëse më shihni nga Rilindja e nga PD-ja dukem si i majtë dhe e kam për nder.

Vasili: Çfarë thotë Berisha për shembull?

Blushi: Kjo është spektakolare, një komunist të akuzojë një njeri që s’është e s’ka qenë asnjëherë komunist.

Rakipllari: Po është parti e djathtë.

Blushi: Po ai vetë është komunist dhe të më akuzojë mua si i majtë! E kam për nder të më akuzojë. E di si është kjo? Është njësoj si një zebër të ankohet për vizoren. Nuk mund të ankohet zebra për vizoren.

Rakipllari: Blushi, ju thoni se përveç të tjerash projekti i politikës është rrëzimi i kësaj qeverie.

Blushi: Unë mendoj se Rilindja është fatkeqësi kombëtare.