Brukseli demanton Djordje Ivanovin

Mbas Berlinit zyrtar, edhe Brukseli reagon me demant të insinuatave të Kryetarit të Maqedonisë Djordje Ivanov në intervistën e dhanun për gazetën “Bild”.

“Potencojmë se shteti [i Maqedonise] prej vitit 2007 e deri sot ka marrë përkrahje në shumën prej 900 milionë Euro”, ka deklarue zadhanësja e Komisionit Europian në Bruksel. Nji pjesë e atyne pareve ka qenë e dedikueme edhe për mbrojtjen e kufinit dhe për azil. Si plotësim, që në fillim të krizës shteti ka marrë edhe ndihmë humanitare për refugjatët, lajmëron DPA.
Në intervistën për gazetën gjermane “Bild”, Ivanov ka deklaru se Maqedonia edhe pse nuk asht anëtare e BE’s, e mbron Europën nga Greqia, e cila vetëm i lëshon ma tutje refugjatët, ku midis tyne edhe shumë xhihadistë të mundshëm. Përveç kësaj, Atina pret me i marr 700 milionë Euro ndihmë nga BE, ndërsa Maqedonia nuk merr asnji cent.

“Europës nuk ja ndin për neve”, ka thanë Ivanov.

Zadhënësja e Komisionit Europian nënvizon se Maqedonia deri sot i ka marrë 50 milionë Euro për mbrojtjen e kufijve dhe për kujdesin e refugjatëve. Ju kane dhane edhe mjete tjera plotësuese. Krahas kësaj, zadhanësja pohon se pushteti në Maqedoni ka qene i obliguem me ofrue hollësina për ndihmën e nevojshme.

 

Berlini duhet të jep dëshmi

Ndërkohë, Ivanov njoftoi se ai mbetet në qëndrimin e vet se Maqedonia nuk ka marrë kurrfarë mjetesh nga Gjermania dhe BE për krizën e refugjatëve. Ai i çon porosi direkte qeverisë gjermane tue kallxue se per çfare paresh e ka fjalen:

“E ftojmë qeverinë gjermane me saktësue dhe me cekë qartë dhe saktë, kujt, kur dhe për çfarë qëllimi janë dhanë mjetet e përmenduna prej 52 milionë Euro. Me qëllim që të mos manipulohet publiku dhe të mos krijohet huti, informojmë se mjetet e cekuna prej 664 milionë Euro për periudhën 2014 deri në vitin 2020, janë pjesë e fondeve IPA dhe janë të dedikueme për zbatimin e reformave europiane dhe jo për përballjen me krizën e refugjatëve – thuhet në njoftimin nga Kabineti i Ivanovit. /“Libertas”/