BSPK me pushime në Shqipni: As 30 vetë në protestë

Ashtu si paralajmëroi dje Televizioni Rrokum, 1 Maji – Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, kaloi në heshtje nga mbi 60% e të rive të papunë, e po ashtu edhe nga pjesa tjetër e punëtorëve, që simbas shumë hulumtimeve, u shkelen përditë të drejtat.

Në Prishtinë, të vetmit që dolën në protesta ishin nji grup prej ma pak se 30 të rishe të Iniciativës Vullnetare “Ngrite Zanin”, punëtorëve të KED’s dhe aktivistë të Vetëvendosjes, të cilët vendosën pankarta para Qeverisë.

“Të harruem nga shteti, të shtypun nga pushteti” , “Ligji i punës në letër, ligji i shefit në vepër” shkruhej në pankartat e këtij marshi të nisun nga Sheshi “Zahir Pajaziti”.

Njani prej organizatorëve tha se në këtë marsh kanë ftue edhe Bashkimin e Sindikatave të Pamvaruna të Kosovës, por ata, në vend që me protestue, kanë zgjedhë me udhëtue për fundjavë në Shqipni.

Këtë e konfirmoi edhe nji nga nënkryetarët e BSPK, Avni Ajdini.

Mbas vendosjes së pankartave para Qeverisë që sot e kishte ditë pushimi, disa prej pjesmarrësve treguen arsyet e protestës.

Nji protestë e ngjashme u organizue edhe në Han të Elezit, ku ish-punëtorët e SharrCem’it, të mbledhun te stacioni i trenit e tue marshue drejt kombinatit, u kërkuen autoriteteve ndërhymjen te Agjencia Kosovare e Privatizimit, anulimin e privatizimit të kombinatit.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Punëtorëve dhe Shoqnisë Aksionare, Xheladin Laçi, e akuzoi AKP’n për privatizim ilegal të ish-kombinatit “Sharr”, dhe për largimin e dhunashëm nga puna të 1 mijë e 100 punëtorë aksionarë.

Ndërkaq, statistikat zyrtare e nxjerrin se papunësia në Kosovë asht mbi 35 %, por këto të dhanë janë demantue nga njohësit e ekonomisë, të cilët mendojnë se shifra reale e papunësisë asht ma e naltë.

E krejt ndryshe nga panorama në vendin tonë, sot partitë e majta dhe sindikatat e punëtorëve kanë protestue për të drejtat e tyne në Gjermani, Austri, Itali, si dhe në shumë vende tjera të botës, ku madje protestat kanë qenë edhe të dhunshme.