Bujar Nrecaj: ‘Bunateka’ do të më percjellë tanë jetën!

bujarndrecaj

Arkitekti i ri kosovar asht nominue për Çmimin Aga Khan Award për arkitekturë.

Ai konkurron me konceptin e tij të nji biblioteke përkrah pothuejse ma të mëdhajve të arkitekturës në botë.

Për projektin dhe nominimin e tij – në vetën e parë për dialogplus.ch vjen vetë Bujar Nrecaj.

 

Kjo asht intervista e plotë:

Zoti Nrecaj, si erdhi deri te nominimi juaj për çmimin prestigjioz Aga Khan Award në arkitekturë?

Për projektin «Bunateka» deri më tani janë bërë shumë raportime dhe vlerësime – një mori artikujsh që kanë depërtuar nëpër medie të ndryshme dhe nëpër revista të arkitekturës. Kjo më ndihmoi që të jem pjesë e aktiviteteve të ndryshme të arkitekturës, duke përfshirë këtu edhe ato të organizuara në Kosovë nga Bekim Ramku dhe Fondacioni Kosovar i Arkitekturës (KAF). Vitin e kaluar, ai më nominoi edhe për çmimin Aga Khan Award për arkitekturë. Ramkut i jam shumë mirënjohës për kontributin që po e jep për arkitekturën kosovare.

Çka përfaqëson ky çmim dhe çka domethënë ky nominim për ju?

«Aga Khan Development Network» është organizata më e madhe në botë, e cila kontribuon për vendet në zhvillim. Ajo ka përfaqësi në 30 shtete dhe punëson rreth 80’000 veta. Organizata angazhohet në zhvillimin ekonomik, atë social, si dhe kulturor të këtyre vendeve. Çdo tre vjet ajo e ndan edhe çmimin për arkitekturë, vendim i cili kalon një procedurë të gjatë nëpër komisione të ndryshme, me njerëz nga institucione prestigjioze, si Harvard University, Columbia University, Toronto University, Institut of Architektur of Venice, Peking University, deri te vetë Princi Aga Khan.

Të bëhesh pjesë e një konkursi të tillë është shumë domethënëse; të jesh pjesë e listës së ngushtë të projekteve konkurruese për këtë çmim është një nder i madh. Në këtë konkurs marrin pjesë projekte nga të gjitha këndet e botës, të disenjuara nga emra të shquar të arkitekturës. Të qëndrojë projekti im pranë atyre të Zaha Hadid, Jean Nouvel, Bjarke Ingels Group etj., është vlerësimi dhe çmimi më i mirë që kisha mundur ta paramendoj për «Bunatekën». Por, unë kam besuar gjithnjë në «Bunatekën» dhe ky besim ka ardhur gjithnjë duke u shtuar.

«Bunateka» quhet projekti me të cilin konkurroni. Ai nuk është edhe krejt i panjohur në opinionin publik, megjithatë na e rekapitulloni me këtë rast edhe një herë idenë e tij?

Po. «Bunateka» e harmonizon arkitekturën me kushtet e jetës së njerëzve, duke u ardhur në ndihmë nevojave të tyre në kohën që po jetojmë. Qëllimi kryesor i «Bunatekës» është t’i kontribuojë zhvillimit social të vendeve të izoluara rurale. Fokusi i veçantë i këtij projekti janë nxënësit e shkollave fillore. Ajo u ofron atyre një hapësirë të re me libra, ku mund të zhvillojnë mendimin kritik, kreativitetin dhe të angazhohen më shumë në aktivitete artistike. Përndryshe, «Bunateka» është një bibliotekë më vete. Si hapësirë e shkëputur nga objekti i shkollës, e vendosur në oborrin e saj, praktikisht në qendër të vëmendjes së nxënësve, provokon një aktivitet plotësues për fëmijët. Përmasat e saj janë 4x6x3 metra dhe ka një konstruksion të lehtë prej druri, i cili qëndron mbi fundamentin e betonit. Kontakti vizual ndërmjet nxënësve dhe librave mundësohet në të gjitha anët e objektit nëpërmjet hapjes së mureve strukturore, të cilat njëkohësisht janë edhe sirtarë të librave. Nga hapësira e brendshme, hapja e mureve lejon shfrytëzuesin që të krijojë relacion me natyrën jashtë.

Shtrirja e bibliotekës së re në oborrin e shkollës duhet të nxisë kureshtje brenda mjedisit arsimor. Ajo synon t’i ndihmojë të rinjtë në formimin e personalitetit të tyre, ta inkurajojë solidaritetin, komunikimin dhe bashkëpunimin me njëri-tjetrin. Por, ajo duhet të funksionojë mirë dhe të integrohet në praktikat mësimore të shkollave fillore. «Bunateka» është një koncept arkitektonik, sidomos për nevojat e shkollave fillore në rajonet e izoluara, në dobi të pasurimit të jetës së të rinjve, përmirësimit të qasjes në arsim të fëmijëve të këtyre zonave. Për më tepër, ajo i motivon edhe mësuesit dhe prindërit që të përfshihen në një proces më të gjerë arsimor.

Si erdhët te emri «Bunateka», kur keni filluar me këtë projekt dhe sa është përhapur ai?

Sikur bunari që e simbolizon jetën në një shtëpi, emri i bibliotekës «Bunateka» rrjedh nga bashkimi i fjalëve «burim/bunar» dhe «biblioteka», duke e bërë atë një burim të dijes. Ideja për të më ka lindur nga vitet 2005/06, gjatë studimeve të arkitekturës. Objekti i parë është ngrehur në pranverën e vitit 2009 në vendlindjen time, Lutogllavë e Prizrenit. Deri më tani, nëpër fshatra të ndryshme të Kosovës janë hapur tetë «bunateka». Sponsori kryesor i tyre ka qenë Ambasada e Norvegjisë. Ka kontribuar gjithashtu edhe Ambasada e Zvicrës në tri nga «bunatekat» e realizuara.

Ku ka ngecur zhvillimi i mëtutjeshëm i projektit dhe çfarë imputesh i jep atij nominimi për çmimin Aga Khan Award, sidomos në kuptimin e sponsorizimit?

«Bunateka» shërben si rrjeti më i ri i dijes në rrafsh kombëtar në Kosovë. Ne jemi duke i shqyrtuar mundësitë për ta zgjeruar rrjetin në nivel rajonal dhe më gjerë. Tani jemi gati për lansimin e Fondacionit Bunateka dhe shpresojmë se në këtë mënyrë do të arrijmë ta realizojmë misionin e «Bunatekës» për t’u shpërndarë në gjithë botën, duke e rritur ndërgjegjësimin e të rinjve për rëndësinë e arsimit dhe për t’i frymëzuar ata që të vazhdojnë me zgjerimin e horizonteve të tyre. Projekti është një kontribut për një shoqëri të shëndoshë dhe bashkëkohore. Çmimi Aga Khan sigurisht se do t’i japë një kuptim të madh këtij misioni.

Cila është sfida juaj momentale profesionale?

Prej dy vjetësh jam vendosur përsëri Zvicër, ku dua ta lansoj Fondacionin Bunateka. «Bunateka» do të më përcjellë tërë jetën, kudo që të shkoj. Këtu tani e kam filluar edhe një projekt të ri me disa miq të mi, i cili fokusin do ta ketë në kontributin për shoqërinë ku ne jetojmë.

Jetëshkrim i shkurtër i Bujar Nrecajt

Bujar Nrecaj ka lindur më 1979, në Lutogllavë e Prizrenit. Vendimtar në jetën e tij ka qenë emigrimi bashkë me familjen më 1991, në Amriswil (TG) të Zvicrës. Më 1999, Nrecaj e përfundon shkollën profesionale për inxhinieri ndërtimi (Hochbauzeichnen) në St. Gallen. Ndërsa më 2006 i përfundon studimet për arkitekturë në Shkollën e Lartë për Shkenca të Aplikuara ZHAW në Winterthur. Bujar Nrecaj në vitin 2007 ka bashkëpunuar në projektin e arkitektit të renomuar Eduardo Souto De Moura për kampusin e gjigantit të industrisë farmaceutike Novartis në Basel. Menjëherë pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Bujar kthehet për të jetuar dhe për të punuar në Kosovë, përkatësisht në Prishtinë. Një vit më pas arkitekti fillon me ndërtimin e «bunatekave» në Kosovë. Kryevepra tjetër e karrierës së të riut është Hotel Graçanica më 2012, pronë e një zvicerani, të cilën e menaxhon me një ekip multietnik lokal. Momente krejt të veçanta lumturie në jetën e tij përbën lindja e vajzave më 2014. Tani ai ka filluar me drejtimin e kompanisë «Neohome AG», në Cyrih./dialogplus.ch/

 

bunatekaa