Bulliqi tregon se a ka me qenë pjesë e LDK’s

Shpejtim Bulliqi, ish-deputeti i LDK’s analizoi rezultatet e zgjedhjeve të 11 Qershorit në raport me marrëveshjen e Demarkacionit. Pamvarësisht mospërfshimjes në listën e deputetëve, ai mohoi se ka me u largue nga LDK’ja.

Ish- deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shpetim Bulliqi, tha se insistimi i qeverisjes së kalueme për me ratifikue marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi ka ndikue në ranien e votave të ish-partive në pushtet në zgjedhjet e 11 Qershorit.

“Po besoj se te LDK dhe PDK, konkretisht lidershipi i këtyne dy subjekteve që insistonin fort në ratifikimin e marrëveshjes së damshme të demarkacionit, kanë kontribue qe pos tjerash, pjesërisht qëndrimi i tyne me ndikue edhe në ranien e numrave te votave”, tha Bulliqi.

 

“Mue dhe disa kolegë tjerë padrejtësisht na përjashtuen nga listat kryetari me nënkryetarët e LDK. Neve na damtuen individualisht, por LDK’n e damtuan ma shumë, sepse e zvogëluen numrin e votave për LDK. Pra, egot personale të nji klani të ngushte në LDK, kontribuuen që ta irritojnë elektoratin e LDK, tue e ba atë si subjekt/koalicion të dalë e treta në këto zgjedhje”, tha Bulliqi për KALLXO.com.

Bulliqi në Maj kur u publikue lista e koalicionit LDK- AKR- Alternativa, kishte reague tue thanë se e larguen prej saj nga tuta.

Por, ai pamvarësisht mospërfshimjes në listën e deputetëve, mohoi se ka me u largue nga LDK’ja.

“Kam me vazhdue me qenë pjesë e LDK, sepse aty nuk jam për hatër të lidershipit klanor, por për faktin se jam pjese e LDK që 27 vjet. Kanë pas provue disa parashutistë te LDK që të më ‘përjashtojnë’ nga LDK’ja gjatë mandatit që lamë mbas, por sot s’po gjenden askund për nga votat, edhe pse ishin pjesë e listës për deputetë”, tha Bulliqi.