Çashtja çame trazon politikën greke, Kotzias thirret në interpelancë nga opozita

Çashtja çame dhe ndërhymja e komisionerit të Bashkimit Europian Johannes Hahn ka trazue ujnat edhe në politikën e mbrendshme të Greqisë.

Dy deputetë të partisë Demokracia e Re, Dora Bakojanis që ka qenë ministre e Jashtme e Greqisë dhe Ioannis Kefalogiannis thirrën Ministrin e Jashtëm grek Nikos Kotzias në Komisionin Parlamentar për Punët e Jashtme të jepte shpjegimet e nevojshme për këtë çashtje që ka mbërri deri në nivelet ma të nalta të Bashkimit Europian.

Kështu, dy deputetët opozitarë pyetën Kotzias:

-e konfirmon dokumentin formal të Komisionit Europian mbi dallimet greko-shqiptare?
-e konfirmon dorëzimin e dokumentit formal nga ana e Shqipnisë që flet për probleme të hapuna me Greqinë?
-arsyet e palës greke gjatë vizitës së fundit të Kotzias në Shqipni që çuen në pranimin e debatit të çashtjes çame?
-arsyet që detyruen palën greke të pranonte këtë dokument të papranueshëm ‘non paper’ me ndërmjetësimin e palëve të treta, veçanërisht të BE?
-asht diskutue çashtja çame si nji mekanizëm rekomandues për të zgjidhë problemet e hapuna mes dy palëve? Nëse jo, a ka me rregullue pala greke këtë mekanizëm?

E ashpër dhe me tone të nalta ka qenë përgjigjia e Ministrit të Jashtëm të Greqisë Nikos Kotzias, i cili theksoi se qeveria greke nuk ka pranue kurrë për egzistencën e çashtjes çame.

Ai akuzoi dy deputetët e Demokracisë së Re tue thanë se “po hedhin në erë politikën e jashtme të vendit, që po përpiqet për zgjidhje pozitive të çashtjeve të hapuna mes dy vendeve ku nuk përfshihet çashtja çame”

Kotzias u ka kërkue deputetëve të opozitës që të kallxohen ma të përgjegjshëm në deklaratat që bajnë në diskutimin e çashtjeve që kanë ndjeshmëni kombëtare./Syri.net