Ceremonia e Hashim Thaçit President – me 8 Prill në shesh

Me 8 Prill, në Sheshin “Ibrahim Rugova” ka me u organizue ceremonia e pranim-dorëzimit të detyrës së Presidentit të Republikës, nga Atifete Jahjaga te Hashim Thaçi.

Kjo ka me qenë hera e parë që Kosova organizon nji ceremoni të tillë, ku janë ftue dhe kanë konfirmue pjesmarrjen disa Presidentë të vendeve të rajonit, përfshi edhe Serbinë.

Mirëpo në nji intervistë për Televizionin Rrokum, Ardian Arifaj, këshilltari i Presidentit të zgjedhun, thotë se prej Tomislav Nikolicit nuk kanë marrë ende përgjigje.

Janë ba ma shumë se 2 javë prej se Hashim Thaçi mberriti kulmin e karrierës së tij politike, tu’ u zgjedhë President i Republikës së Kosovës. Mirëpo, që kjo andërr e tij me u kunorëzue, Thaçit i duhet me pritë edhe rreth 4 javë tjera, kur ai të betohet para Kuvendit.

Ky nuk ka me qenë betimi i parë i nji Presidenti në Kuvend, por ka me qenë ceremonia e parë e dorëzimit të mandatit Presidencial, sepse me përjashtim të Atifete Jahjagës, asnji nga presidentët paraardhës nuk e kanë çue mandatin deri në fund. Presidenti Ibrahim Rugova ka vdekë në detyrë, ndërsa Fatmir Sejdiu e Behxhet Pacolli kanë dhanë dorëheqje, mbasi që Gjykata Kushtetuese kishte konstatue se janë zgjedhë në mënyrë jo të rregullt.

Kosova ka pasë ma herët ceremoni të pranim-dorëzimit të detyrës në nivel të Kryministrave, si ishte ai i vitit 2014, kur Hashim Thaçi ia dorëzoi mandatin Isa Mustafës, por edhe në nivel Presidencial, kur ushtruesi i detyrës, Jakup Krasniqi i dorëzoi detyrën Presidentes së zgjedhun, Atifete Jahjaga.

Por kjo ceremoni e dytë u ba në Zyrën e Presidentit, pa solemnitetin e duhun, e sigurisht edhe pa asnji të ftuem, përcjellë Rrokum TV.

Mirëpo Hashim Thaçi nuk e ka ndër mend me e marrë detyrën në këtë formë. Në ceremoninë e kunorëzimit të tij si President, ai ka ftue shumë Presidentë të rajonit e ma gjanë.

Simbas Kushtetutës, Presidenti ka me e ba betimin me 7 Prill, e po atë ditë duhet me marrë detyrën, por Këshilltari i Presidentit të zgjedhun, Ardian Arifaj, thotë për Televizionin Rrokum se ceremonia zyrtare e marrjes së detyrës ka me u mbajtë të nesërmen, me 8 Prill, e aty nuk kanë me mungue as Presidentët e vendeve të rajonit, e ma gjanë.

E sa i takon mysafirëve, sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, në nji përgjigjje elektronike për Televizionin Rrokum, ndryshe nga Arifaj, thotë se lista e t’ftuemve ende nuk asht ba, dhe pritet me u pregaditë shumë shpejt.

Gjithashtu ndryshe nga Ligji për Prokotokollin e Shtetit, Këshilltari i Thaçit thotë se ceremonia Presidenciale nuk ka me u ba në Zyrën e Presidentit, por në shesh.

E kjo, ndoshta për shkak të hapësinës së vogël të Zyrës së Presidentit.

Arifaj gjithashtu ka konfirmue se tashma kanë marrë përgjigjje prej disa Presidentëve të rajonit, mirëpo nuk ka preferue me kallxue se cilët prej tyne janë përgjigjje, tue thanë se shumë shpejt kanë me i ba publike edhe listat.

Mirëpo në nji intervistë të dhanë për të përditshmen austriake Der Standard, vetë Presidenti i zgjedhun, Hashim Thaçi thotë se i ka ftue të gjithë Presidentët të Rajonit në ditën kur ky ka me përurue, tue përmend specifikisht edhe Presidentin serb, Tomislav Nikolic.

Këtë e ka konfirmue edhe Arifaj për Rrokum, i cili tha se ende nuk kanë marrë përgjigjje nga Nikolic, por thotë se ka ende kohë, kur Presidenti serb mundet me e konfirmue pjesëmarrjen apo jo.

E derisa Arifaj i pranon vështirësitë e instalimit të kësaj praktike krejt të panjoftun për Kosovën, kur Presidenti i Republikës e merr mandatin në mënyrë ceremoniale, vendet e tjera të rajonit, sikurse edhe Shqipnia, e kanë ba këtë ceremoni që prej fillimit të viteve 2000.

Natyrisht që ceremonia e marrjes së detyrës ma të naltë shtetnore të Hashim Thaçit nuk ka me qenë si kjo e Barack Obamas, por ish-kryetari i PDK’s ka rast me dëshmue edhe nji herë kontributin e tij në shtetndërtimin e Kosovës.