Çfarë kompetenca parasheh Kushtetuta për Presidentin e Kosovës?

Me 26 Fror, Kuvendi i Kosovës e zgjedhi Presidentin e ri të vendit, Hashim Thaçin.

Simbas Kushtetutës, nenit 84 për Statusin e Presidentit, kreu i shtetit përfaqëson unitetin e popullit.
Por çfarë kompetenca ka Presidenti i vendit?
Ma poshtë mundeni me lexue nenin 84 të Kushtetutës mbi Kompetencat e Presidentit:
Neni 84 [Kompetencat e Presidentit]
Presidenti i Republikës së Kosovës:
(1) përfaqëson Republikën e Kosovës brenda dhe jashtë;
(2) garanton funksionimin kushtetues të institucioneve të përcaktuara me këtë Kushtetutë;
(3) shpall zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës dhe thërret mbledhjen e parë te tij;
(4) nxjerr dekrete në pajtim me këtë Kushtetutë;
(5) shpall ligjet e miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës;
(6) ka të drejtën e kthimit për rishqyrtim të ligjeve të miratuara, nëse konsideron se janë të dëmshme për interesat legjitime të Republikës së Kosovës ose të një a më shumë komuniteteve të saj. Të drejtën e rikthimit të një ligji mund ta shfrytëzojë vetëm një herë;
(7) nënshkruan marrëveshjet ndërkombëtare në pajtim me këtë Kushtetutë;
(8) propozon amendamente për këtë Kushtetutë;
(9) mund të referojë çështje kushtetuese në Gjykatën Kushtetuese;
(10) udhëheq politikën e jashtme të vendit;
(11) pranon letrat kredenciale të shefave të misioneve diplomatike të akredituar në Republikën e Kosovës;
(12) është Komandant Suprem i Forcave të Sigurisë të Kosovës;
(13) udhëheq Këshillin Konsultativ për Komunitete;
(14) cakton mandatarin për formimin e Qeverisë, pas propozimit të partisë politike ose të koalicionit, që përbën shumicën e Kuvendit;
(15) emëron dhe shkarkon Kryetarin e Gjykatës Supreme të Kosovës me propozimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës;
(16) emëron dhe shkarkon gjyqtarët e Republikës së Kosovës me propozimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës;
(17) emëron dhe shkarkon Kryeprokurorin e Shtetit të Republikës së Kosovës, me propozimin e Këshillit Prokuroial të Kosovës;
(18) emëron dhe shkarkon prokurorët e Republikës së Kosovës, me propozimin të Këshillit Prokurorial të Kosovës;
(19) emëron gjyqtarët për Gjykatën Kushtetuese, me propozimin e Kuvendit;
(20) emëron Komandantin e Forcave të Sigurisë të Kosovës, pas rekomandimit të Kryeministrit;
(21) së bashku me Kryeministrin, emëron Drejtorin, Zëvendësdrejtorin dhe Inspektorin e Përgjithshëm të Agjencisë së Kosovës për Intelegjencë;
(22) vendos për shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme, në konsultim me Kryeministrin; (23) mund të kërkojë mbledhje të Këshillit të Sigurisë të Kosovës dhe i kryeson ato në kohën e Gjendjes së Jashtëzakonshme;
(24) vendos për formimin e misioneve diplomatike e konsullare të Republikës së Kosovës, në bazë të konsultimit me Kryeministrin;
(25) emëron dhe shkarkon shefat e misioneve diplomatike të Republikës së Kosovës, me propozimin e Qeverisë;
(26) emëron Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve;
(27) emëron Guvernatorin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës i cili shërben edhe si Drejtor Menaxhues dhe emëron anëtarët e tjerë të Bordit të Bankës;
(28) jep medalje, mirënjohje dhe çmime, në pajtim me ligjin;
(29) shpall falje individuale, në pajtim me ligjin;
(30) së paku një herë në vit i drejtohet Kuvendit të Kosovës përkitazi me fushëveprimtarinë e tij/saj.