Çka mbas Demarkacionit?

Kosova po hyn në javën e aktiviteteve të shtueme politike, të cilat po përcillen me tensione e polemika të ashpra rreth asaj se duhet apo jo Kuvendi të ratifikoj Marrëveshjen për shejimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Liderët e institucioneve ma të nalta shtetnore dhe partive në pushtet vazhdojnë me ju ba thirrje deputetëve ta ratifikojnë këtë marrëveshje. Përderisa udhëheqësit e opozitës thonë se, deputetët po u nënshtrohen presioneve anti-kushtetuese dhe kërkojnë që marrëveshja të mos kaloj në asnji mënyrë.

Analistët, ndërkaq kanë parashikue se nëse Demarkacioni nuk kalon në Kuvend, Kosova mund të futej në krizë dhe vendi të shkoj në zgjedhje të parakohshme. Ndërkaq, nëse marrëveshja ratifikohet, parashikohen tensione të reja politike në raport mes pushtetit dhe opozitës, shkruan “Evropa e Lirë”.

Dilemave të ngrituna nga opozita se me marrëveshjen aktuale me Malin e Zi, Kosova humb nji territor prej mbi 8 mijë hektarë tokë, u asht përgjigjë në disa raste kryeministri Isa Mustafa tue e deklarue të kundërtën.

“As unë dhe as qeveria nuk ka me lejue qe asnji pllambë tokë e këtij vendi t’i falet Malit të Zi apo ndonji vendi tjetër”, ka deklarue Mustafa.

Me konstatimet e kryeministrit Isa Mustafa nuk asht pajtue në vazhdimësi opozita, e cila insiston se me Marrëveshjen aktuale me Malin e Zi, Kosova humb mbi 8 mijë hektarë territor.

Kryetari i subjektit ma të madh opozitar, Lëvizjes Vetëvendosjes Visar Ymeri ka paralajmërue se deputetët dhe aktivistët e këtij subjekti politik kanë me protestue mbrenda dhe jashtë Kuvendit për me pamundësue jetësimin e kësaj marrëveshje.

“Ata që duen ta miratojnë Demarkacionin kanë me u përballë me kundërshtimin e vendosun të qytetarëve. Demarkacionin duhet ta ndalim me çdo kusht dhe me çdo mjet demokratik”, ka thanë Ymeri.

Përderisa opozita përpiqet të dështoj ratifikimin e Demarkacionit, në qeverinë e Kosovës në vazhdimësi flitet për pasojat e nji veprimi të tillë. Ishte edhe vet Komisioni Europian që e vendosi Demarkacionin si kusht për zbatimin e vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ministri i Integrimeve Europiane, Bekim Çollaku thotë se dështimi eventual i ratifikimit të Demarkacionit, nuk e rrezikon vetëm liberalizimin, por edhe të ardhmen euro-atlantike të vendit. Ai beson se deputetët i kenë sqarue dilemat dhe të votojnë pro-ratifikimit.