Çka permbajnë 28 faqet ‘Top Secret’ për 11 Shtatorin?

kullatt

Në 2004 Komiteti i Inteligjencës në Senatin amerikan doli me nji raport voluminoz prej 838 faqesh në lidhje me sulmet terroriste të 11 Shtatorit 2001.

Raporti përshkruente në detaje ngjarjet para dhe mbas sulmeve tragjike, por i mungonte nji pjesë; kapitulli i fundit që nuk u ba publik nga administrata Bush, e ma vone edhe nga ajo Obama për arsye të “sigurisë kombëtare”.

Bahet fjalë për 28 faqe të kapitullit të fundit që mbahen të mshefta plot 13 vjet dhe per te cilat din vetëm nji grusht personash.

Si Bush, ashtu edhe Obama refuzuen me i ba publike këto 28 faqe, tue deklaru se publikimi i tyne “kishte me minue sigurinë kombëtare”.

Ma vonë, me të njajtin arsyetim edhe FBI ka refuzue kerkesat për publikimin e përmbajtjes së kapitullit të fundit të raportit.

“Përmbajtja asht e fortë dhe ka me ju habite nëse publikohet”, thotë Tim Roemer, ish-kongresmen demokrat dhe njani prej pak personave që asht në dijeni të asaj që shkruhet në 28 faqet finale të raportit, falë pozicionit të tij si anëtar i komisionit hetimor.

Shumë besojnë se qeveria amerikane vendosi me censurue këtë pjesë të raportit për me i mbrojt marrëdhaniet delikate me Arabinë Saudite, ku udhëheqësit, monarkët, të pasunit dhe feja janë mpleks keqas në institucionet drejtuese të vendit.
“Arabia Saudite konsiderohet moti si burimi kryesor njerëzor dhe financiar për al-Qaedan”, thotë “60 minutes”.

Raporti i kongresmenëve amerikanë kujdeset me sqarue se “nuk asht gjete asnji fakt që provon lidhjen e qeverisë saudite si institucion apo zyrtarëve të naltë sauditë me al-Qaedan”.

Zbardhjen e përmbajtjes së 28 faqeve sekrete e kërkojnë me ngulm edhe familjarë të viktimave apo të mbijetuem të sulmeve, kërkesë kjo qe pritet me marrë përgjegje në muejt e mbetun të presidencës Obama.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë pritet me vendosë përpara se ka me u largue se a don me deklasifikue këtë raport apo don me lane ashtu si asht: Top Secret!