Çka po i k​ërkon Këshilli i Europës Beogradit për gjenocidin në Srebrenicë

Ekspertët e Këshillit t’Europës i kërkuen sot Serbisë me njoftë zyrtarisht masakrën e Srebrenicës në Bosne si nji gjenocid, në nji raport që shpreh gjithashtu shqetësim edhe për frazat plot urrejtje të përdoruna nga grupet raciste të tifozëve të futbollit.

“Drejtuesit politik duhet me pranue zyrtarisht se masakrat e kryeme në Srebrenicë, në lindje të Bosnes përbajnë nji gjenocid”, theksoi Presidenti i Komisionit Europian kundër racizmit dhe intolerancës (Ecri) i Këshillit të Europës, suedezi Christian Ahlund, transmeton AFP, përcjell Metro.

Në Korrik të vitit 1995, dikun 8 mijë burra dhe djem myslimanë u vranë nga forcat serbe të Bosnës në Srebrenicë mbrenda disa ditëve.

Bahet fjalë për krimin ma të randë të kryem n’Europë që prej Luftës së Dytë Botnore.

Komisioni i Këshillit Europian theksoi se Parlamenti dhe Presidenti serb kanë kërkue falje për masakrën e Srebrenicës.

Megjithatë, ai shprehu keqardhje për faktin që asnjani prej tyne nuk ka pranue që këto masakra me përba nji gjenocid ashtu si i kanë cilësue gjykatat ndërkombëtare.

Presidenti serb, Tomislav Nikolic, nji nacionalist populist ka kërkue falje në Prill 2013 në televizionin kombëtar të Bosnes.