Çka po paralajmërojnë deputetët, për shkak të Gjykatës Speciale?

Përfaqësuesit politikë nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës nuk i mshefin rezervat që kanë në raport me fillimin e punës së Gjykatës Speciale për krimet e luftës.

Shqetësimi ma i madh i tyne ka të bajë me, siç thuhet, “rrezikun nga ndikimi politik i vendimeve që mund të merren në këtë Gjykatë” e cila kryesisht pritet m’i trajtue rastet e krimeve të dyshueme të luftës, ku protagonistë kryesorë kanë me qenë ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Edhe pse, Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës ishin pajtue për themelimin e kësaj Gjykate, shqetësimet janë në rritje, sidomos tash, kur disa ish-komandantëve dhe figurave të nalta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës iu konfirmue dënimi nga organet vendore të drejtësisë, çka e shtyu Kuvendin e Kosovës me thirrë nji seancë të jashtëzakonshme për të Ejten, në mbrojtje të vlerave të luftës së UÇK’s.

Disa nga deputetët e Kuvendit të Kosovës konsiderojnë se fillimi i punës së kësaj gjykate mundet me paraqitë problem për sistemin e drejtësisë.

Deputetja Albulena Haxhiu, Kryetare e Komisionit për legjislacion në Kuvendin e Kosovës vlerëson se roli i kësaj gjykate ka me qenë ma tepër politik, andaj si i tillë, simbas saj, mundet me sjell probleme të ndryshme.

“Ka me qenë goxha problematike roli i Gjykatës Speciale tue marrë parasysh tendencën për me njollosë luftën e UÇK’s. Ka me pasë probleme edhe për sistemin e drejtësisë edhe për faktin që parasheh nji sistem paralel të sistemit të drejtësisë dhe kjo ka qenë e pa drejtë qysh atëherë kur asht ba. Na kemi nevojë për forcimin e sistemit të drejtësisë dhe dënim të gjenocidit që e ka ba Serbia në Kosovë”, thotë Haxhiu.

Ndërsa, deputetja Selvije Halimi, nënkryetare e komisionit për legjislacion nga Partia Demokratike e Kosovës, thotë për Radion Europa e Lirë se, në rast se puna dhe vendimet e gjykatës kanë me qenë politike, problemet kanë me qenë evidente.

Halimi mendon se Gjykata duhet me punue në bazë të fakteve reale, të cilat munden me u dëshmue dhe vërtetue.

“Vendimet, qofshin në gjykatat vendore sot, qofshin nesër ato në speciale, duhet me qenë mbi bazën e fakteve dhe provave të dëshmueme dhe të vërtetueme, (kështu) nuk ka me pasë kurrfarë shqetësimi”.