Çka shkruejnë mediat franceze për President Thaçin

Për herë të parë nji President kosovar pasohet me tranzicion nga nji President kosovar. Hashim Thaçi, i cili u ba President të Premten mbasdite, asht nji prej kosovarëve ma të njohun, shkruejnë mediat franceze tu’ e ofrue nji rrëfim për historinë e inaugurimit.

Ish-kreu i UÇK, e cila luftoi kundër forcave serbe të sigurisë deri në tërheqjen e tyne, ka qenë politikani ma i fuqishëm në vend, mbas Ibrahim Rugovës. Thaçi përballë Rugovës, ky ishte ballafaqimi mes revoltës së armatosun në njanën anë dhe rezistencës paqësore në anën tjetër, lufta këto të drejtueme kundër regjimit serb të mbas-Jugosllavisë. Pacifizmi i Rugovës s’ishte ma i mjaftueshëm përballë regjimit të tërbuem të Slobodan Milosevic’it, i cili kishte nise spastrimin etnik të shumicës shqiptare (mbi 80% e popullsisë). Shqiptarët u detyruen që të kalonin në luftë të armatosun, e cila ma mbas solli ndërhymjen masive ajrore të NATO’s ndaj objekteve ushtarake serbe, jo veç në Kosovë, por edhe në Serbi.

Pamvarësisht kritikave të shumta mbas vdekjes së Rugovës në 2006’n, institucionet kosovare në masë të madhe të formueme nga Kombet e Bashkueme, dolën të jenë funksionale. Megjithatë, që nga lindja e shtetit në 2008’n, Presidenca e Republikës – Presidenti asht zgjedh nga Kuvendi – proces që kishte kalue nëpër disa vështirësi – dorëheqje, shfuqizime – deri në ardhjen e nji grueje pa asnji të kalueme politike, e cila mbeti në këtë post për pesë vjet. Atifete Jahjaga, ish-drejtore e asociueme e Policisë së Kosovës, e shndërroi këtë në aksident të historisë dhe u nderue për punën e saj dhe në veçanti për avancimin e pozitës së grues dhe luftën kundër korrupsionit.

Prandaj, inaugurimi i Hashim Thaçit si kreu i shtetit asht i pari i kryem në mënyrë të ligjshme. Ai ia doli fillimisht me i mbijetue politikisht akuzat për trafikim organesh gjatë luftës për pamvarësi në vitet 1999-2000. Ai shihet i pastër edhe në sytë e autoriteteve gjyqësore të Gjykatës Penale në Hagë. Ai arriti që partia e tij të mos mposhtej nga mbështetësit e Rugovës në Kuvend. Kështu, gjithçka ishte gati që njeriu ma i fuqishëm politikisht me marre vendin e merituem, shkruen mediumi francez “Opinion international”.

Fjala e tij inauguruese ishte nji simbol i modelit demokratik. Tue fole para shtatores së heroit kombëtar shqiptar dhe të njohun botnisht – Skënderbeut, i cili në shekullin e 15’t luftoi kundër osmanëve, dhe i rrethuem nga flamujt e Republikës së Kosovës dhe të BE’s, tha: “Jam nji President i përulun i nji kombi herojsh”.

Ai bani thirrje për nji shoqni multi-etnike dhe të hapun, nji shtet laik, dhe integrim euroatlantik. Ai e adresoi gjithashtu çashtjen e komunitetit LGBTI. Po ashtu, ai i dha edhe Republikës së Serbisë propozime për pajtim. Por, asnji referencë nuk iu ba kombit simotër – Shqipnisë, apo fesë, në nji vend me shumicë myslimane.

Në ceremoninë e ndjekun nga personalitete të shqueme sunite, sufi, katolikë, por pa përfaqësues të komunitetit ortodoks serb. Përpjekja e Qeverisë së Kosovës për me u anëtarsue në UNESCO e “sëmuri” atë komunitetit. Ata konsiderojnë se objektet e tyne arkitekturale kishin me u zavendësue nga tutela e Beogradit në atë të shtetit kosovar. Pamvarësisht mossuksesit të kandidaturës së Kosovës për me iu bashkue UNESCO’s në 2015’n, mllefi i të krishtenëve ortodoksë mbetet.

E meta e vetme gjatë ceremonisë së inaugurimit ishte kundërshtimi nga partia politike “Vetëvendosje”, përkrahësit e së cilës arritën me i hedh dy kanaçe me gaz lotsjellës pak para fjalimit inaugurues, tu’ e detyrue evakuimin e orkestrës dhe të korit për vetëm dhetë minuta.

Askush nuk shfaqi irritim të tepruem në pritje të fjalimit. Nji veprim i tillë i Vetëvendosjes ishte i pritshëm, ishte në përputhje me frymën tashma të njohun të Vetëvendosjes të shfaqun në seancat parlamentare për muej të tanë. Ceremonia u mbyll me himnin e Europës “Oda e Gëzimit”, në një shtet që ende nuk njihet nga të gjithë anëtarët e Bashkimit Europian, ndërsa qytetarët e saj janë të etun për me iu bashkue familjes së madhe europiane, dhe të cilët janë ende në pritje të liberalizimit të vizave që të mund të kenë mundësi për me lëvizë në vendet europiane.

Shkrimin e plotë mundeni me lexue KËTU