Çka shkruen kryeministri Mustafa për protestën e studentëve më 1 Tetor 1997

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka përkujtue protestën e organizueme nga studentët e Kosovës 19 vjet ma parë, më 1 Tetor 1997.

Në nji status në faqen zyrtare të kryeministrit në Facebook, thuhet se kjo protestë gjithëpopullore, e organizueme dhe e udhëhequn nga studentët e pedagogët universitarë, dëshmoi në esencë vendosmëninë e paepun të popullit të Kosovës për Liri, Pamvarësi dhe Demokraci.

Shkrimi i plotë i Kryeministrit Mustafa:

Protesta e 1 Tetorit 1997, është një prej ngjarjeve shumë të rëndësishme në historinë e rezistencës së popullit të Kosovës ndaj regjimit të Millosheviqit.

E organizuar dhe e udhëhequr nga studentët e pedagogët universitarë, ajo ishte një protestë gjithëpopullore, e cila në esencë dëshmoi vendosmërinë e paepur të popullit të Kosovës për Liri, Pavarësi dhe Demokraci.

Studentët, profesorët dhe qytetarët e Kosovës nuk i ndali as dhuna e shfrenuar e regjimit kriminal për të demonstruar aspiratat e tyre dhe për t’i realizuar ato, më pas.

Sot, Republika e Kosovës është shtet sovran dhe i pavarur, falë sakrificës dhe përkushtimit të të gjitha shtresave të shoqërisë kosovare, rezistencës paqësore dhe luftës çlirimtare, me përkrahje të pazëvendësueshme të SHBA-ve dhe vendeve tjera demokratike evropiane dhe më gjerë.