Çka tha Migjen Kelmendi n’emisionin e Ilva Tares per Chris Hill, Hashim Thaçin, UÇK dhe SHBA (video)

hashim-thaci-dhe-chris-hill-ne-dragobil-1998

Ilva Tare: Cili ka qenë roli i SHBA në luftën e Kosovës dhe shpalljen e pamvarësisë së saj

Migjen Kelmendi: Une jam deshmitar i nji kohe, ku roli i SHBA nuk shterret vetëm me shpalljen e pamvarësisë, por sidomos del i madh roli i krejt administrates amerikane ne vitet 90’ta, vite qe i paraprijne intervenimit të NATO’s, ku ai rol asht krucial dhe nji nga fundamentet e kesaj shoqnie dhe kesaj lirie qe sot Kosova e gezon.

Domethanë, Shtetet e Bashkueme janë mik dhe aleat i madh i kësaj pamvarësie dhe i këtij shteti.

Ilva Tare: E ndjenin kosovarët dashamirësinë e SHBA ndaj tyne?

Migjen Kelmendi: Po, sepse pa atë perkrahje, pa atë mirëkuptim qe e treguen administrata e ish-Presidentit Clinton dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij, njerëzit në terren, njerëzit që vinin në Prishtinë, Kosovë, kalonin në Drenicë, takonin njerëzit, e fotografonin situatën në terren, sepse ju e keni parasysh se asokohe ajo administratë e dhunshme milosevic’iane e pengonte, cenzuronte realitetin qe ndodhte në terren, ku kishte atrocite te paimagjinueshme, ku kishte dhunë dhe brutalitet të papamë, atëhere kjo prezencë e këtyne diplomateve, e kësaj administrate, e njerëzve si Christopher Hill, njerëzve si Nicholas Hill dhe shumë të tjerë qe ishin bashkëpunëtorë të tyne kanë pasë nji rol krucial, fundamental në perpilimin dhe mbledhjen e fakteve nga terreni, ne ndertimin e nji pasqyre reale të situatës së shqiptarëve në Kosovë, dhe nga faktimi dhe dokumentimi i nji dhune brutale qe e aplikonte asokohe ajo makineri e dhunës që udhëhiqej nga qeveria e Milosevic’it.

Ilva Tare: Si ka qenë takimi i Christopher Hill me UÇK?

Migjen Kelmendi: Unë e kam udhëheq asokohe, midis viteve ’97-’99 deri të intervenimi i NATO’s, e kam udhëheq nji ekip televiziv në terren që shkonte edhe në zonat e perfshime me luftë. E kujtoj zotin Hill, nuk e kam pasë nderin me takue personalisht, por kujtoj nga ky xhirim sepse ishte ekipi im atje, i vetmi ekip qe u gjetë atje në Shtabin e Përgjitshëm në Dragobil, ku zhvillohet nji takim shumë i randësishëm asokohe mes zotit Christopher Hill, zotit Petrich dhe bashkëpunëtorëve të zotit Hill, me përfaqësuesit e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që udhëhiqej asokohe nga zoti Hashim Thaçi. Ai takim u zhvillue në nji shtepi private dhe aty mund ta shihni edhe nga nji xhirim që asht egzistent edhe sot në YouTube, që ishte shumë e randësishme asokohe që administrata amerikane ta merrte informaten nga dora e parë, nga nji njisit guerril i cili quhej bile edhe “terrorist” aty-ketu nga forcat dhe kandet që perfshiheshin edhe me interpretime serbe, dhe ky ishte moment i madh me pa se në esencë nuk ishte puna për nji grup guerrilash-terroristë, por ishte puna për ata që na asokohe i quejshim ‘desperadosi’ – ‘të deshpëruemit’ – sespe lufta iu imponue elementit shqiptar në Kosovë, lufta ishte e imponueme mbas nji perpjekje gjigande të Lidhjes Demokratike qe në forma paqësore me provue me gjetë zgjidhje në Kosovë, atëhere, në vitet 97-98 ishte i pashmangshem themelimi i nji ushtrie, nji force ushtarake, e cila ka me fillue me i mbrojt shpijat dhe me fillue me ba gati mbrojtjen si me thanë të Kosovës.

Kështu që në këto raste, kontaktet me faktorin nderkombëtar, e sidomos me Shtetet e Bahkueme, kanë qenë me nji randësi shumë të madhe, dhe kisha me thanë me randësi historike, sepse për herë të parë u pa se këto janë do forca që nuk janë sulmuese, nuk janë agresive, janë forca që po provojnë me e mbrojt popullatën dhe me organizue mbrotjen nga formacionet ushatarake, paraushtarake, policore që Milosevic i dergonte në Kosovë dhe filloi me krye atrocite të papame.

Mendoj se ai takim u zhvillue me kerkesën edhe të administratës se zotit Clinton, dhe u ba e mundun me i mbledh informatat nga dora e parë, për me pa se sa mundet me u evitue lufta dhe konflikti me këto forca të armatosuna.

Asht interesant se në atë takim, aty dikund në fund, ulun asht edhe nji çikë, duket çikë e re, shumë ma vonë e kemi kuptue se ajo quhet Tina Kaidanow, asht ambasadorja amerikane e cila në nji menyrë në vitet e shpalljes së pamvarësisë ka pasë asi roli të randësishem në kordinimin e te gjitha atyne proceseve shumë komplekse që i paraprinë shpalljes së pamvarësisë sa, po them, keta janë emnat, keta jane protagonistat, të cilëve mendoj se na ju kemi shumë borxh.

Ilva Tare: Cili ka qenë roli i Christopher Hill në bombardimin e Serbisë dhe në negociatat e Rambouillet?

Migjen Kelmendi: Mendoj se Chris Hill, si i derguem special i Sekretares Albraight në regjion, ishte edhe ambasador në Shkup nese nuk gaboj, asht nji nga personat kyç të cilët kanë pasë nji rol të randësishëm jo vetëm në mbledhjen e fakteve nga terreni, por edhe në përpunimin e atyne fakteve dhe në sugjerimet eventuale qe ka mujt me i ba përfaqësuesve të asaj kohe, ose politik apo ushtarakë, të shqiptarëve në Kosovë, për me u ballafaque me sfidat që e pritshin Kosovën dhe këta përfaqësues. Dhe ato sfida, siç e dini, jane takimi i famshëm në Rambouillet, masnej lufta që zgjati 78 ditë…dhe mendoj se zoti Hill, krejt familja Hill, Nicholas, Nick Hill, vllau i tij, dhe bashkëpunëtorët e tij si, Petrich, Tina Kaidanow…janë protagonistat e asaj që sot na e njohim si – Republika e Kosovës.

Ilva Tare: A ka ba Kosova sa duhet për me i plotësu kërkesat e SHBA për ta?

Migjen Kelmendi: Kerkesat janë shumë reale…se nji shtet si Kosova asht nji shtet që duhet me u ndertue mbi vlerat, mbi ligjet dhe asht nji shtet i cili duhet me qenë në nji mënyrë në përputhje më të gjitha kërkesat e Bashkësisë Nderkombëtare, për me mujt me finalizue këtë proces që asht nisë, ku Zoti Hill ka pasë nji rol shumë të randësishëm. Mendoj se amerikanët nuk janë pishman për këtë punë. Po ndigjohen herë mbas here, ndoshta jo në mënyrë zyrtare, por herë mbas here natyrisht vijnë edhe disa kritika…Natyrisht, pritet shumë nga përfaqësuesit e shqiptarëve në Kosovë dhe institucioneve në Kosovë që të levizet drejt atij ideali, per te cilin u ba krejt ai intervenim, që ma në fund në Kosovë të instalohet nji sistem institucional europian, që ndertohet mbi vlera, mbi ligje dhe si me thanë mbi parime, dhe në nji mënyrë të arsyetohet pse u desht Bashkësia Nderkombëtare me ba këtë intervenim, dhe a jemi koshient se sa i madh ka qenë vendimi me ba atë intervenim dhe sa përgjegjësi të madhe kemi marrë na të gjithë këtu, sidomos përfaqësuesit e institucioneve, për me arsyetu këtë ndihmë që u ba nga Bashkësia Nderkombëtare dhe NATO.

Ilva Tare: Çka u diskutu mes Christopher Hill dhe Thaçit?

Migjen Kelmendi: Nuk muj me kujtue tamam, por e di se kryesisht zhvillohej në nivelin e mbledhjes se fakteve nga dora e parë. Por, vetë fakti se nji përfaqësues i administratës amerikane takon nji përfaqësues të nji organizate rebele, si konsiderohej asokohe Ushtria Çlirmitare, fliste se administrate amerikane ka nji qendrim shumë konstruktiv dhe analitik për këtë forcë, për me u përpjek me marrë vesh ma s’pari cilat janë parimet që e kanë organizue këtë forcë, çfare janë qellimet e kësaj force dhe sa kjo forcë asht në gjendje me u përballë me sfidat që i kishte përpara dhe ja kishte përcaktue vetes.

Shumë ma tepër në ketë kontekst kishte me ndihmue vetë Zoti Thaçi, tue e rikujtue këtë moment, dhe gjithë ata që ishin prezentë në këtë takim.

Ilva Tare: Edhe sa do të vazhdojnë të jenë të randësishëm ambasadorët amerikan në Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri?

Migjen Kelmendi: Mendoj se ambasadorët kanë nji rol të pazavendësueshëm në përpjekjet e shoqnisë shqiptare edhe kendej, edhe te ju n’Shqipni, për me i përmbushë dhe me iu përmbajt objektivave që nji shoqni e sotme, moderne, i ka dhe duhet me i përmbushë. Sidomos janë ato që dalin nga fusha e drejtësisë, në fushën e respektimit të ligjit, nga obligimi i mbrotjes së të drejtave të njeriut, nga obligimi i garantimit të tregut të lirë…po edhe nga obligimi me ndertue relacione miqësore dhe paqësore me fqinjët, dhe pa ketë ndihmë dhe pa këtë prezencë, mendoj se na kishim me u përmballë me sfida të nji natyre krejt tjetër, kisha me thanë shumë ma primitive se këto që janë sot.

Tetor, 2016