Çka tha Presidenti Thaçi për mediumin austriak ‘Die Presse’?

Presidenti i Kosovës, në nji intervistë për të përditshmen austriake “Die Presse” ka thanë se ka kërkue nji rol shumë ma të madh të BE’s në Ballkan.

Ai ka kritikue ashpër mbajtjen e referendumit nga Republika Srbska në Bosnje dhe Hercegovinë. Thaçi ka thanë se bashkësia ndërkombëtare duhet me bisedue drejtpërdrejtë dhe ashpër me udhëheqjen e Republikës serbe.

“Veprimet e Republikës serbe munden me qenë shembull i keq për zonat tjera në Ballkan, edhe ato munden me kërkue të drejtën për me mbajtë referendume: për njerëzit në Sanxhak, apo shqiptarët në Maqedoni dhe Mal të Zi, apo serbët në veri të Kosovës. Kjo kishte me qenë nji rrezik për shtetet multi-etnike. Kjo tendencë për me formue shtete të pastra etnike, vetëm ka me çue në konflikte të reja”, ka theksue Thaçi.

Simbas tij, Republika Serbe asht nji konstrukt i gjenocidit në Bosnje. Thaçi asht pyetë edhe për raportet së fundi të përkeqësueme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Thaçi i ka thanë se tana incidentet e fundit munden me ndikue negativisht në normalizimin e marrëdhanieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por ky proces duhet me vazhdue.

“Arrestimi në Serbi i shefit të policisë kosovare të Mitrovicës, Nehat Thaçi, ishte i panevojshëm, dhe na jemi të sigurt se ai ka me u lirue së shpejti. Na nuk kemi me u hakmarrë me masa të njajta”, ka pohue ai.

Thaçi ka thanë se Kosova nuk asht kundër që politikanët serbë të Kosovës me lëvizë lirshëm. “Por, na kemi rregulla të caktueme të cilat duhen me u respektue. Politikanët serbë kanë me u vazhdue me u lejuele të udhëtojnë përsëri në Kosovë, në qoftë se ata u përmbahen rregullave të dakordueme bashkënisht”, ka shtue ai.

Ai ka kërkue nga BE’ja si ndërmjetës i këtij procesi me qenë edhe ma shumë kambëngulës në zbatimin e marrëveshjeve të arrituna, pa vonesa.

“Për ma tepër, BE’ja duhet me u pregaditë seriozisht që me vazhdue procesin e normalizimit në nivelin ma të naltë politik dhe me arritë marrëveshje gjithëpërfshimëse për normalizimin e marrëdhanieve ndërmjet dy shteteve”, ka thanë Thaçi për “Die Presse”.

1-528