Çka thotë Prokurori që po heton sulmin e 4 Gushtit ndaj Kuvendit të Kosovës?

Prokurori i Prokurorisë Speciale, Abdurrahim Islami, tha për KALLXO.com se të dyshuemit për sulmin e 4 Gushtit kundër Kuvendit të Kosovës ende nuk janë intervistue.

Edhe pse kanë kalue ma shumë se tre muej nga sulmi me mjet shpërthyes kundër ndërtesës së Kuvendit të Kosovës dhe ma shumë se dy muej nga arrestimi i personave të dyshuem – aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, këta të fundit ende nuk janë intervistue nga prokurori i rastit.

Këtë fakt e nxori në pah vdekja e njanit prej të dyshuemve të këtij rasti – Astrit Dehari, i cili asht gjetë pa sheja jete në qelinë e Qendrës së Paraburgimit në Prizren më 5 Nandor.

Lidhun me këtë çashtje, prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Abdurrahim Islami, tha për KALLXO.com se intervistimi i të dyshuemve ka me ndodhë këtë muej.

“Na po planifikojmë që m’i intervistue të dyshuemit nga mesi i këtij mueji dhe mbas intervistimit kanë me u analizue deklaratat e tyne dhe ka me u kqyrë se qysh me u veprue ma tej”, tha Islami për KALLXO.com.

Po ashtu, prokurori Islami tha se as tashma i ndjeri, Astrit Dehari, nuk ishte intervistue.

Ndërsa, sa i përket caktimit të masës së paraburgimit për Deharin, prokurori theksoi se kërkesa ishte ba në bazë të provave të tjera që i ka në posedim Prokuroria.

Për sulmin e 4 Gushtit të këtij viti kundër Kuvendit të Kosovës si të dyshuem ishin arrestue aktivistët e Vetëvendosjes: Atdhe Arifi, Astrit Dehari, Adea Batusha, Egzon Haliti, Petrit Ademi dhe Frashër Krasniqi.

Që nga koha e arrestimit, në fund të Gushtit, masa e paraburgimit ju ishte caktue Atdhe Arifit, Astrit Deharit dhe Egzon Halitit, ndërsa të tjerët u lëshuen në masa ma të lehta të sigurisë.

Gjashtë aktivistët e VV dyshohen se janë autorë të sulmit me mjet shpërthyes kundër ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.

Njani prej të dyshuemve, Astrit Dehari, vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ndërsa rrethanat e vdekjes së tij vazhdojnë të mbesin të pasqarueme.