Çka u ba me Fondin për Punësim dhe Zhvillim?

Shumë premtime të zyrtarëve të naltë qeveritarë për zhvillim ekonomik, rrjedhimisht rritjen e shkallës së punësimit, janë heshtë apo nuk janë realizue në mungesë të angazhimit dhe seriozitetit të autoriteteve kompetente, thonë ekspertë për çashtje ekonomike.

Nji premtim i zyrtarëve qeveritarë para dy vjetësh ka qenë krijimi i nji Fondi për Punësim dhe Zhvillim tue u bazue në mjetet e Fondit të Privatizimit dhe Trustit Pensional të Kosovës, që arrijnë shifrën rreth 1.9 miliard euro.

Si Fond, ishte thanë se ka me krijue mundësi të reja të përkrahjes së punësimit dhe zhvillimit ekonomik, tue përdorë praktikat ma të mira investuese.

Ibrahim Rexhepi, Drejtor i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale “STRAS”, thotë se ky premtim ka qenë vetëm në kuadër të fushatës zgjedhore dhe jo vullnet apo angazhim i matutjeshëm i autoriteteve qeveritare.

“Duhet kuptue se viti 2014 ka qenë kohë zgjedhjesh, ma shumë ka pasë premtime, joshje të elektoratit se sa kanë pasë bazë reale ato që janë premtue. Edhe çashtja e Fondit të Privatizimit dhe Fondit të Trustit të Kursimeve Pensionale, nuk janë çashtje të vullnetit të nji kryeministri apo kryetari, cilido qoftë, që ato të mobilizohen për zhvillimin e Kosovës. Duhet infrastrukturë ligjore, instrumente të sigurisë, garanci, të cilat nuk i ka ba as kjo Qeveri, as që i ka ba Qeveria e kalueme. Për këtë arsye çashtja asht heshtë”, thotë Rexhepi për Radion Evropa e Lirë.

Profesori në Universitetin e Prishtinës, Mejdi Bektashi, thotë se gjatë vitit 2014 tana partitë kanë premtue skenar për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Kosovës.

Edhe krijimi i këtij Fondi, që simbas tij, ka qenë ambicioz, ka mbetë i heshtun për shkak të mungesës se seriozitetit të autoriteteve në Kosovë, mbasi për shfrytëzimin e mjeteve të Privatizimit dhe Trustit, nevojiten edhe ndryshime në aspektin ligjor.