Çollaku jep edhe nji sqarim

Tashma ish-ministër i Integrimeve Europiane, Bekim Çollaku ka deklarue se asht i lumtun që gjatë kohës së tij në këtë detyrë asht arritë nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim Asociim dhe që mbrapa vetes po len procesin në përfundim për liberalizim të vizave.

Çollaku ka marrë pozitën e Shefit të Kabinetit të Presidentit.

 

Lexoni postimin e plotë të tij:

Nga sot jam liruar nga pozita e Ministrit për Integrim Evropian në qeverinë e Republikës së Kosovës, një detyrë që jam munduar ta kryej me një sens të përgjegjësisë së skajshme dhe deri në maksimumin e mundësive të mija për rreth dy vite. Për mua ky ka qenë nder i jashtëzakonshëm që gjatë kësaj periudhe i kam shërbyer në shërbim të vendit dhe qytetarëve të Kosovës për të përmbushur vizionin tonë të përbashkët për integrim evropian.

Jam i lumtur qe gjatë kësaj periudhe e kemi arritur një qëllim të madh në avancimin e kësaj agjende, përmes nënshkrimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asocimi (MSA), që ka qenë një hap i përmasave historike në përforcimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian (BE) në formë të një marrëveshje kontraktuale.

Gjithashtu, jam i lumtur që prapa vetes po e lë një punë të madhe në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave. Ky proces tani është në fazën e vet përfundimtare në kuadër të vendimmarrjes brenda institucioneve të BE-së. Evropian. Vendimet e mbetura deri në vendimin përfundimtar për liberalizimin e vizave tejkalojnë këto kompetenca, dhe unë mbes me shpresë si çdo qytetar që të gjithë institucionet e vendit, legjislativi por edhe institucionet e pavarura të bëjnë shtyrjen e fundit, dhe që BE të mbaj premtimin që qytetarët e Kosovës të udhëtojnë pa viza në vendet e zonës Schengen. BE duhet të merrë këtë vendim me urgjencë sepse një gjë e tillë do të dëshmonte trajtim të barabartë të Kosovës dhe do ta përforconte ndjenjën e përkatësisë si pjesë e pandashme e Evropës dhe e vlerave evropiane. Unë mbes i bindur që kjo ditë është më afër se kurrë dhe vendimi përfundimtar do të merret deri në fund të këtij viti.

Puna ime si Ministër ka qenë një rrugëtim i rëndësishëm në karrierën time, dhe ju falënderoj të gjithëve qe keni qenë pjese sajë. Ju falënderoj për mbështetjen, inkurajimin, sugjerimet, kritikat dhe dhe mbi të gjitha interesimin që keni treguar. Kemi ndarë momente të gëzimit, por edhe momente tjera më pak inkurajuese, por me rëndësi është që kemi qenë bashkë dhe shkëmbimet tona kanë qenë të sinqerta. Të gjithë ju keni qenë një burim i madh i inspirimit gjatë kryerjes të secilit veprim në punën time, qoftë gjatë përfaqësimit tuaj jashtë vendit dhe me bashkëbiseduesit evropian, ashtu edhe në adresimin e reformave të shumta që janë bërë në shumë fusha që kanë një ndikim të drejtpërdrejt dhe afatgjatë në jetën e qytetarëve të vendit.

Në fund, jam i lumtur që do të vazhdoj angazhimin tim në Presidencën e Republikës së Kosovës, ku do të kem nderin që të vazhdoj punën në shërbim të interesave të vendit dhe të qytetarëve, duke përfshirë punën në përmbusjen e qëllimit tonë për integrim në BE dhe në NATO.

Ju faleminderit dhe mbesim në kontakt!