Çollaku: Nëse duem me lëviz pa viza duhet me ratifikue demarkacionin deri me 1 Korrik, vonesa rrezikon seriozisht procesin

bekimcollaku

Marrëveshja për shenjimin e kufinit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi duhet me u ratifikue në Kuvend, ma s’largu deri nga fundi muejit Qershor, ose fillimi i Korrikut. Vonesa e rrezikon seriozisht procesin e lëvizjes së kosovarëve pa viza.

Kështu tha ministri i Integrimit Europian, Bekim Çollaku, në nji prononcim për gazetarët, mbas nji ligjerate që e ka mbajte para studentëve të nji kolegji.

Çollaku tha se demarkacioni ka qenë nji kërkesë që nga fillimi i procesit të liberalizimit të vizave dhe s’asht diçka e re.

Duhet të jemi shumë të qartë dhe tepër transparentë me qytetarët e Kosovës. Çështja e demarkacionit ka qenë një kërkesë që nga fillimi i liberalizimit të vizave dhe nuk është diçka e re ashtu siç po thuhet nga disa palë të përfshira në këtë proces. Komisioni Evropian edhe pas dhënies së rekomandimit për liberalizim të vizave, e ka bërë të qartë që Kosova deri në momentin e vendimmarrjes përfundimtare duhet patjetër ta bëjë ratifikimin e kësaj marrëveshjeje dhe njëkohësisht të dëshmojë edhe më tepër vullnet në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Dhe këto janë dy kushte, dy kritere, të cilat i ka lënë të hapura dhe si të domosdoshme për t`i implementuar derisa nuk fillon zbatimi praktik i lëvizjes pa viza. Puna e demarkacionit dhe puna e komisionit shtetërore që e ka bërë këtë proces e ka udhëhequr ka përfunduar. Qeveria e Republikës së Kosovës ka nënshkruar marrëveshjen dhe e njëjta duhet patjetër të kalojë në Parlamentin e Kosovës për ratifikim. Nëse nuk ratifikohet, me siguri, se kjo do t`i shërbejë si argument i madh shumë shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, por edhe brenda Parlamentit të Bashkimit Evropian që të thonë se Kosova nuk i ka përmbushur kriteret dhe nuk mund ta marrë liberalizimin e vizave në këtë moment. Dhe kjo do ta shtynte këtë proces në një fazë krejt tjetër, e cila do të sillte me vete shumë të panjohura. Nuk është në interes të askujt që të rrezikohet liberalizimi i vizave. Ne jemi në kontakte të vazhdueshme me Komisionin Evropian dhe me Parlamentin e Bashkimit Evropian dhe kjo çështje patjetër duhet të ratifikohet më së largu deri nga muaji i fundit qershor, apo fillimi i muajit korrik“, theksoi Çollaku.