Dacic: N’Kosovë askush nuk ka krye krime lufte n’emën të Serbisë

Zavendëskryeministri i parë në Qeverinë e Serbisë, Ivica Dacic, ka deklarue se gjatë luftës në Kosovë, askush nuk ka krye krime n’emën të Serbisë, derisa u ka ba thirrje gjithë institucioneve dhe personaliteteve serbe me iu bashkue luftës për mbrojtjen e asaj që e ka cilësue si, “pasuni trashëgimore serbe në Kosovë”.

Dacic këto komente i bani në Graçanicë, ku arriti nën masa të mëdhaja të sigurisë, u prit nga qinda simpatizantë të tij që mbanin flamuj dhe simbole tjera të partisë së tij. Por, në mesin e qytetarëve që e prisnin Dacic’in kishte edhe nga ata që shprehën pakënaqësinë me zavendëskryeministrin serb. Qysh edhe kemi raportue, nji qytetar asht arrestue mbasi në nji ndërtesë afër manastirit e vendosi nji pankartë në lidhje me nji afere korruptive të Dacic.

Nga simpatizantët e tij, Dacic’it i asht pregadite nji foltore ku pritej që ai nga aty me iu drejtue qytetarëve të Graçanicës, por ky fjalim u anulue me arsyetimin se ka qenë inicativë e simpatizantëve, dhe për arsye protokolare.

Mbas arritjes së tij në Graçanicë, Dacic i shoqnuem edhe nga djali i tij, vizitoi Manastirin e këtij qyteti, ku u takue me kreun e tij.
Mbas vizitës në mbrendësi të Manastirit, ku nuk u lejuen qytetarët, Dacic foli për krimet e luftës në Kosovë dhe Gjykatën Speciale, dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, dhe për fitoren e Serbisë për mos me lejue anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.
Dacic tha se me krijimin e Gjykatës Speciale kane me u procedue tana krimet e luftës.

“Sa i takon krimeve të luftës janë gjykatat që janë tue punue në këtë drejtim dhe këto gjykata duhet me konfirmue kush ka krye krime të luftës. Krime nuk ka krye askush n’emën të shtetit të Serbisë, egzistojnë emna dhe mbiemna të njerëzve dhe në këtë drejtim asht tue u punue … Shumë shpejtë kemi me pasë Gjykatën Speciale për krime lufte ndaj serbëve … na nuk kemi asnji dilemë, tana krimet e luftës duhet me u procedue… Qysh e dini une kam linde në Prizren, i cili ka qenë dikur kryeqyteti i Serbisë në kohën e Car Dushanit, dhe gjashtë – shtatë shekuj mbas, atje janë gjithsej rreth 20 serbë. Prandaj, mos më flisni ju mue për krimet e luftës ndaj shqiptarëve. Ku janë tanë ata serbë mbas këtyne gjashtë-shtatë shekujsh”, tha ai.

Mbas mohimit të krimeve të kryeme nga serbët në Kosovë, gjatë luftës, Dacic në lidhje me dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, tha se Beogradi po i zbaton tana marrëveshjet e arrituna nga dialogu në Bruksel, por u shpreh i pasigurt nëse marrëveshjet po zbatohen edhe nga Prishtina.

“Sa i takon dialogut ai asht tue vazhdue, por që pala serbe po insiston që ai me u zbatue plotësisht për shkak të jetës ma të mirë dhe mirëqenies së qytetarëve në përgjithësi… Serbia asht tue i plotësue tana marrëveshjet e Brukselit, por nuk jam i sigurt nëse e njajta po ndodh me Prishtinën”, tha ai.

Ndërsa për trashëgimin kulturore në Kosovë, Dacic tha se asht shumë domethanëse, tue shtue se ndryshimi i strukturës së popullatës tani nuk nënkupton se dikush mundet me marrë vendime të njianshme. Mos anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, Dacic e cilësoi fitore të madhe për Serbinë, tue shtue se Kosova ka tentue me u anëtarësue në këtë organizatë pa asnji marrëveshje me Serbinë.

“Qysh e dini na e kemi arritë nji fitore të madhe në UNESCO, mbasi kemi arritë me pengue anëtarësimin e Kosovës, e cila pa asnji marrëveshje mes neve ka tentue me u ba anëtare e kësaj organizate dhe konsiderojmë se kjo asht nji temë shumë e randësishme për të cilën duhet me bisedue, sepse asht nji çashtje e randësisë së veçantë për popullin serb, kishën ortodokse serbe dhe shtetin e Serbisë dhe çdo vendim i njianshëm mundet me sjelle veç pasoja të damshme”, tha ai.

Dacic shtoi se nuk duhet me u lejue që për kishat ortodokse të thuhet se janë shqiptare.

“E kisha ftue tane opinionin kulturor kishtar, shkencor, figurat publike, me iu bashkue luftës për mbrojtjen e pasunisë trashëgimore në Kosovë, sepse nuk mjafton veç me u thanë se kjo asht e jona, por duhet ma shumë angazhim nga ana e të gjithë neve… Këtu asht cënue populli serb dhe historia e tij, ju e dini se çka ka ndodh me kishat… Qysh nuk mundemi me lejue që të thuhet se këto janë kisha ortodokse shqiptare, por janë trashëgimi kulturore serbe dhe kështu duhet me vazhdue me mbete derisa duem ne ruejtë popullin serb në Kosovë… Thjeshtë ky asht obligim yni ndaj historisë tonë…”, tha ai.

Para Graçanicës, zavendëskryeministri i parë i Serbisë, Ivica Dacic vizitoi Patrikanën e Pejës dhe kishën e Shën Premtes në Prizren.