Dacic thotë se Brukseli nuk i ka kerkue Serbisë me njoftë Kosovën!

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Dacic, tha se çashtja e heqjes së preambulës së Kushtetutës së Serbisë, e cila e definon Kosovën si “pjesë të këtij vendi”, nuk ka qenë pjesë e asnji rrethi të bisedimeve që asht zhvillue në Bruksel.

Dacic, në konferencë për media në Beograd, tha se Serbisë, gjatë bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian, do t’i bahen kërkesa të caktueme që duhet t’i përmbushë për me u ba anëtare e bllokut.

“Ato (kërkesa) nuk i referohen preambulës. Ajo nuk ka qenë temë e asnji dialogu në BE”, tha Dacic, raporton REL.

Ai shtoi se Serbia duhet me mbajtë kontaktet me krejt vendet që nuk e njohin pamvarësinë e Kosovës, sepse disa prej tyne kanë “presion të madh” për me ndryshue qendrimin.

Dacic tha se javën e ardhshme ka me marrë pjesë në seancën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkueme, ku do të diskutohet raporti i fundit tremujor i Sekretarit të përgjithshëm, Ban Ki-moon, për situatën në Kosovë.

Mësohet se në këtë raport, Ban ka thanë se zbatimi i marrëveshjeve midis Prishtinës dhe Beogradit nuk ka shënue përparim të konsiderueshëm.