“Daja” ende deputet i Kuvendit të Kosovës!

Edhe pse përmes nji komunikate për media me 28 Prill kishte dhanë dorëheqje nga posti i deputetit, Azem Syla ende figuron në web faqen e Kuvendit të Kosovës, në listën e deputetëve.

Kallxo.com ka kontaktue disa herë sekretarin e Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqin, për me kuptue se a ka dhanë dorëheqje zyrtarisht Azem Syla në Kuvend nga posti i tij, por Krasniqi nuk ka dashte me u përgjigj në këto pyetje tue thanë se “këto pyetje duhet t’i adresohen Grupit Parlamentar të PDK-së”.

Për këtë gja, nuk ka pranue me u përgjigj as Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’s, Adem Grabovci.

Ndërsa nënkryetari i PDK, Memli Krasniqi, nuk ka qenë në gjendje me u pergjig nëse Syla e ka dorëzue zyrtarisht mandatin e tij si deputet.

Nuk e di, për këtë duhet pyetur në Kuvendin e Kosovës, e unë nuk jam pjesë e Kuvendit, andaj nuk mundem me të dhënë përgjigje”, tha Krasniqi.

Simbas ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, mbasi nji ulëse të mbetet bosh, Kryetari i Kuvendit i ban kërkesë me shkrim Presidentit për mbushjen e ulëses së zbrazët.

Pasi që një ulëse të mbetet e zbrazët, Kryetari i Kuvendit i bën kërkesë me shkrim Presidentit për mbushjen e ulëses së zbrazët. Një kërkesë e tillë duhet të përfshijë edhe sqarimin se pse u lirua kjo ulëse. Pas pranimit të kërkesës sipas paragrafit 3 të këtij neni, nëse sqarimi i dhënë është i mjaftueshëm, Presidenti duhet të kërkojë nga KQZ-ja të rekomandojë emrin e personit për ta mbushur vendin e lirë”, thuhet në ligj.

KALLXO.com ka kërkue informacion edhe nga zyra e kryetarit të Kuvendit se a i ka ba kryetari kërkesë Presidentit për mbushjen e ulëses bosh. Blerim Latifi, këshilltar i Kryetarit të Kuvendit të Kosovës tha se s’asht në dijeni.