DASH: Kosova i ka përmbush kriteret për transparencë fiskale

Ministria e Financave vlerëson naltë raportin e Demartamentit të Shtetit të SHBA’ve të vitit 2016 lidhun me transparencën fiskale në Kosovë.

Ky raport përshkruen kërkesat minimale për sigurimin e transparencës fiskale të shteteve, që lidhen në veçanti me përgaditjen dhe publikimin e dokumenteve kyçe të buxhetit në mënyrë të plotë dhe të besueshme dhe të qasshme për publikun, si asht propozim buxheti, buxheti vjetor i miratuem, raporti vjetor i ekzekutimit të buxhetit, raportet e rregullta të shpenzimeve etj.

Kjo asht komunikata e plotë e Ministrisë se Financave:

Ministria e Financave vlerëson lartë raportin e Departamentit të Shtetit të SHBA-ve të vitit 2016 lidhur me transparencën fiskale në Kosovë.

Ky raport përshkruan kërkesat minimale për sigurimin e transparencës fiskale të shteteve, që lidhen në veçanti me përgatitjen dhe publikimin e dokumenteve kyçe të buxhetit në mënyrë të plotë dhe të besueshme dhe të qasshme për publikun, siç është propozim buxheti, buxheti vjetor i miratuar, raporti vjetor i ekzekutimit të buxhetit, raportet e rregullta të shpenzimeve etj.

Po ashtu, raporti i borxhit publik i vendit është në dispozicion për qytetarët dhe jep informata të plota dhe të besueshme, transparencën në lidhjen e kontratave publike dhe lëshimin e licencave për shfrytëzimin e resurseve natyrore, ekzistencën dhe funksionalitetin e një autoriteti suprem të auditimit të pavarur dhe bërjen publike të auditimeve të tilla.

Si e tillë, transparenca fiskale është element kritik për menaxhim efektiv të financave publike dhe ndihmon në rritjen e besueshmërisë së qytetarëve dhe bizneseve karshi shtetit. Transparenca fiskale fuqizon llogaridhënien e Qeverisë duke ofruar një dritare të mundësive për qytetarë për të parë nga afër mënyrën e mbledhjes dhe shfrytëzimit të buxhetit të shtetit. Në këtë mënyrë, debati publik është më i informuar dhe bazuar në të dhëna të besueshme.

Departamenti i Shtetit i SHBA-ve, në raportin e vitit 2016, vlerëson se Kosova ka përmbushur kriteret për transparencë fiskale për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2015. Të dhënat që ka përdorur Departamenti i Shtetit janë nga shërbimet diplomatike dhe konsullore, nga shoqëria civile, nga organizatat ndërkombëtare etj.

Ky vlerësim pozitiv reflekton suksesin e plotë të Qeverisë së Kosovës në rritjen e transparencës buxhetore dhe llogaridhënien. Diskutimi i gjerë i buxhetit me të gjithë akterët e involvuar, pastaj raportimi çdo muaj në Qeveri për të hyrat dhe shpenzimet, transparenca në prokurimin publik, zbatimi i një politike strikte të kursimeve dhe reformat e tjera, kanë rritur besueshmërinë e qytetarëve dhe bizneseve në Kosovë karshi financave publike.

Kjo ka rezultuar me të hyra tatimore dukshëm më të mëdha se në vitin 2014, përmbushje të kritereve të programit të FMN-së, besueshmëri nga partnerët tanë ndërkombëtarë dhe bankat zhvillimore, duke pasur qasje në kredi të buta tek qeveritë e vendeve të BE-së dhe institucionet financiare ndërkombëtare, në nivele të pakrahasueshme më parë.

Ky sukses, i mundëson Kosovës të ketë qasje në “Fondin Inovativ për Transparencë Fiskale” të Departamentit të Shtetit për 2016, ku mund të sigurohen fonde për të rritur kapacitetet e Qeverisë për ekzekutim të qëndrueshëm, të besueshëm dhe transparent të buxhetit, rritjen e qasjes për qytetarët në shpenzimet publike dhe programet e të hyrave si dhe rritjen e aftësisë së qytetarëve për të avokuar për çështje specifike të cilat lidhen me buxhetin e shtetit.