Debati i dytë i zhvilluem Clinton-Trump, edhe ma i nxetë

Në Saint Louis të Misssouri debati i dytë presidencial Clinton-Trump u zhvillue në nji atmosferë akuzash dhe kundërakuzash të ashpra.

Kandidatët, të cilët kur hynë nuk i dhanë dorën njani-tjetrit si në debatin e parë, u pyetën për shembullin që ata duhet të jepnin për të rijtë, nji pyetje që nënkuptonte komentet vulgare të bame nga Trump për gratë 11 vjet ma parë dhe që u publikuen të Premten.

Kandidati republikan u përpoq t’i shmanget pyetjes, tue ndryshue temë disa herë.

“Qe kush asht Donald Trump”, tha zoja Clinton.

Zoti Trump tha: “Nuk jam krenar (për videon). Kqyreni Bill Clintonin. Të mijat ishin fjalë, të tijat ishin vepra.”

“Kam respekt të madh për gratë; askush nuk i respekton gratë ma shumë se unë,” tha zoti Trump.

Zoja Clinton e kritikoi ashpër rivalin. Ajo tha se nuk ishte vetëm video e publikueme të Premten që ngre pikëpyetje nëse zoti Trump duhet me qenë apo jo president, por edhe komentet e tij lidhun me emigrantët, myslimanët dhe çashtje të tjera.

Trump tha se këto janë “vetëm fjalë” që i ndigjojmë prej vjetesh. Ai e kritikoi zojën Clinton për çashtje të tjera si arsimi dhe afrikano-amerikanët përsëri tue u përpjekë t’i shmanget pyetjes së fillimit.

Kur debati u përqendrue te email’at e zojës Clinton, Trump tha se ai kishte me emnue nji prokuror të posaçëm për të hetue rivalen e tij. “Ju kishit me përfundue në burg”, tha ai, tue nënkuptue se ajo kishte shkëmbye materiale të klasifikueme tue përdorë nji server privat, kur ishte sekretare e shtetit.

Zoja Clinton e quejti “të rrezikshme” retorikën e rivalit Trump për myslimanët. “Vizioni im i Amerikës asht nji Amerikë, ku secili ka nji vend”, tha ajo.

Trump u përgjigj tue thanë se islamofobia asht problem, por shtoi se SHBA kanë nji problem serioz. Ai përmendi vrasjet në San Bernardino si shembull të “terrorizmit islamik radikal”.

Të pyetun për rolin e Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane, zoja Clinton tha se Rusia po përpiqet t’i ndikojë zgjedhjet në favor të zotit Trump, “ndoshta ngaqë ai e ka lavdue Presidentin Putin, ndoshta ngaqë synon me ba biznis në Moskë.”

Zoti Trump u përgjigj se ai nuk ka kredi me Rusinë. “Mund të pyesni pranë qeverisë amerikane dhe ata munden me jua thanë këtë, sepse ata i njohin shumë mirë të dhanat e mia financiare”, tha kandidati republikan.

E pyetun lidhun me strategjinë për Sirinë, zoja Clinton tha se ajo nuk kishte me dërgue trupa tokësore në Siri, por kishte me mbajt atje forca speciale.

I pyetun se cila asht strategjia e tij nëse qyteti Aleppo bjen, zoti Trump tha se në thelb Aleppo ka ra. Ai kritikoi ashpër politikën e administratës Obama për Sirinë.

Në fund të debatit kandidatët u pyetën: Megjithë retorikën e tashme, cila asht ajo gja që respektoni te njani-tjetri?

Zoja Clinton tha se respektonte fëmitë e zotit Trump. Kandidati republikan u përgjigj se Hillary nuk dorëzohet dhe kjo asht nji veti e mirë.

Kandidatët e përfunduen debatin e ashpër me nji shtrëngim duarsh.

Befasia para debatit

Kandidati republikan për president Donald Trump u shfaq para debatit në nji konferencë shtypi me nji grup grash që kanë akuzue Presidentin Clinton në të kaluemen për sjellje të pahijshme seksuale ndaj tyne.

Me daljen e tij të papritun në nji hotel të Saint Louisit, Trump la të kuptohet se debati i së Diellës kishte me qenë i ashpër.