Debati i plotë Rama-Vucic mbi Kosovën, Trepçen dhe zgjedhjet në SHBA e Rusi

Kryeministri Rama ishte i pranishëm sot në Forumin për Sigurinë të mbajtur në Beograd duke folur përnjë serë çështjes, për një pjesë prej të cilave ndanë qendrime të ndryshme.

Diskutimi i plotë

Moderatori: Sa e rëndësishme është marrëdhënia me BE-në në modernizimin e institucioneve në Shqipëri, apo kjo gjë po ndodh si iniciativë e vetë Shqipërisë?

Rama: Faleminderit! Së pari më lejoni t’ju përgëzoj për optimizmin e pashërueshëm, kur thatë se në 50 minuta do zgjidhni gjithçka këtu. Sepse nuk besoj që është diçka e realizueshme, por gjithsesi do përpiqemi.

Duke iu kthyer BE-së dhe situatës në tërësi, unë besoj se të paktën, ne këtu në Ballkan duhet të jemi të qartë për një gjë fare të thjeshtë. Procesi i BE-së, për ne, nuk është një udhëtim për të shkuar diku, – sepse ka disa njerëz që presin pikërisht këtë prej nesh, – por është një rrugë modernizimi, e cila do të mundësojë shoqëritë tona që të shkurtojnë distancat me të ardhmen vetëm nëpërmjet procesit të integrimit në Bashkimin Europian.

Dhe si i tillë, në këtë moment, procesi i integrimit në BE është shumë më i rëndësishëm se vetë anëtarësimi, sepse na ndihmon të ndërtojmë shtetet që nuk i kemi pasur asnjëherë nga pikëpamja e institucioneve, e shtetit të së drejtës dhe funksionimit të demokracive dhe nga pikëpamja e shoqërive vibrante, me energjinë për të konkurruar, për të pasur sukses, për të dështuar dhe përsëri për të pasur sukses.

Duket si një mallkim i Ballkanit, sepse kur Europa ishte në formë të mirë, ne ishim në një situatë të ngatërruar. Kurse tani që ne jemi duke u përpjekur të jemi në formë të mirë, në Europë gjërat po ngatërrohen. Duket sikur nuk do të vijë asnjëherë ai moment, kur ne të jemi të gjithë, nga të dyja palët, në formë të mirë. Por prapëseprapë, nuk dua të zgjatem me këtë gjë, sepse e di që në një farë mënyre kjo do t’i shkaktojë më shumë dhimbje plagës suaj. Ju tashmë e braktisët BE-në.

Në lidhje me reformën në drejtësi, ne kemi ndërmarrë një proces, i cili ishte thjesht i paimagjinueshëm për Shqipërinë, ndërsa tani kaluam reformën kushtetuese dhe po aprovojmë paketa legjislative, të cilat janë shumë radikale në lidhje me ndarjen nga e kaluara.

Të gjithë jemi të qartë për një gjë: Kjo nuk do të kishte qenë kurrë e mundur pa mekanizmin e integrimit në BE. Ndaj, dua ta mbyll duke thënë se njerëzit mund të keni mendime të ndryshme. Ata mund të kenë mendime të ndryshme në lidhje me Uashingtonin, me Brukselin, me Moskën, por njerëzit në këtë rajon duhet të kuptojnë se nuk ekziston asnjë mekanizëm tjetër që të mund të na lejojë të dalim një herë e përgjithmonë nga rruga e një historie jo dhe aq bujare dhe më në fund të modernizohemi dhe të jetojmë me hapin e kohës.

Pastaj, a do të bëhemi anëtarë, a do të jetë akoma BE-ja aty, kur ne të jemi gati të anëtarësohemi, kjo është diçka që ne nuk jemi në gjendje ta parashikojmë, jo për shkakun tonë, por për shkakun e atyre në Bruksel. Por në fund, ajo që ka rëndësi është se ne duhet dhe do të modernizohemi dhe më në fund do të lëmë pas, sjelljen tonë fëmijërore ndaj së ardhmes, duke qenë pengje të së shkuarës.

Moderatori: Zoti Rama, cila janë në Shqipëri pritshmëritë, mosbesimi, kur vjen fjala tek procesi i anëtarësimit në BE dhe tek reformat e mëdha në përgjithësi?

Rama: Besoj se jemi në një situatë krejt të ndryshme nga ajo e Serbisë, kur bëhet fjalë për rrugën e integrimit në Bashkimin Europian, sepse ne nuk jemi në mesin e dy dashurive të mundshme. Ne kemi vetëm një dashuri, që është ajo ndaj Perëndimit.

Dhe kjo gjë është e lidhur ngushtë me të kaluarën tonë, e cila ka qenë gjithmonë një pengesë për t’iu bashkuar Perëndimit, sipas një ëndrre të hershme të shqiptarëve për të qenë pjesë e Europës. Ndaj më duhet të them se ne kemi qenë në gjendje të bëjmë reforma që nuk ishin bërë kurrë më parë në vendin tonë, sepse njerëzit kanë kuptuar se kjo është rruga e duhur për t’u modernizuar dhe për të qenë pjesë e familjes së madhe europiane, çfarëdo kuptimi të ketë marrë ajo në ditët tona.

Dua të nënvizoj përsëri, se është përgjegjësia jonë dhe beteja jonë si udhëheqës, që të sigurohemi që njerëzit të kuptojnë se integrimi në Bashkimin Europian nuk ka të bëjë me faktin se mund të zgjedhësh midis disa dashurive të mundshme, por ka të bëjë me faktin se duhet të zgjedhësh midis së ardhmes dhe së kaluarës, nga pikëpamja e shtetit që duam të kemi, e institucioneve që duam të kemi, e shoqërive që duam të kemi.

Dhe ky është një mjet unik dhe i pazëvendësueshëm modernizimi. Kur vjen fjala tek reformat, është gjithnjë e vështirë, është gjithnjë e dhimbshme, është gjithnjë një peshë e madhe përgjegjësie që të kërkosh mbështetjen dhe sakrificat e popullit, sepse, në fund, reformat i drejtojmë ne, ndërsa njerëzit paguajnë çmimin. Por kur çmimi ia vlen, ne duhet të ecim përpara, me vendosmëri dhe nuk ka dyshim që kjo është e vetmja gjë e sigurt që ne mund të bëjmë për vendin tonë.

Rama: Dua të sqaroj diçka në lidhje me atë që përmendi z. Vuçiç, kur tha se ata kanë vetëm një dashuri, e cila është ajo për Serbinë. Duke sikur tha ne nuk kemi dy zgjedhje, por vetëm dashurinë për veten tonë. Këtë doja të sqaroja, sepse edhe për opinionin publik është e qartë se ka një ndryshim të madh midis Shqipërisë dhe Serbisë.

Opinioni publik shqiptar nuk ka asnjë dilemë se cila është zgjedhja. Në Serbi është ndryshe dhe nuk po bëj dallimin midis mirë ose keq, po them vetëm që është ndryshe. Prandaj thashë se ndonjëherë zgjedhja është minuar nga këto dy dashuri në nivel të opinionit publik, jo në nivel të zgjedhjes së qartë të qeverisë ose të Kryeministrit.

Moderatori: Z. Rama, është hera e parë që vendi juaj ka vërejtur lëvizjet e refugjatëve në Shqipëri. A jeni të shqetësuar që kjo gjë mund të përkeqësohet?

Rama: Ne nuk kemi qenë dhe nuk jemi pjesë e së ashtuquajturës “rrugë ballkanike”, ndaj dhe nuk jemi të prekur siç janë Serbia, Maqedonia, Kroacia dhe Sllovenia. Por pozicioni ynë ka qenë shumë i qartë qysh në ditën e parë dhe ky ka qenë se gjeografia nuk mund të jetë një justifikim për të mos qenë europianë.

E kam thënë në shumë raste, kur jemi mbledhur me liderë të Europës, se është e habitshme sesi disa vende anëtare të BE-së po sillen në atë mënyrë, sepse gjeografia është treguar bujare me ta dhe i ka mbajtur jashtë rrugës së emigrantëve dhe ata i lejojnë vetes të sillen sikur nuk janë europianë. Ndërsa Serbia, që nuk është vend anëtar, është sjellë në mënyrë më shumë europiane sesa vendet e tjera të BE-së – nuk dua t’i përmend të gjithë, sepse janë shumë.

Pra, çdo të thotë kjo? Do të thotë se ne në Ballkan jemi shumë naivë në raport me këtë ëndërr? Apo do të thotë se shumë nga këto vende që janë pjesë e BE-së e kanë transformuar ëndrrën thjesht në një makinë bankomati? Kam frikë se kjo është një shenjë shumë shqetësuese e asaj që po ndodh brenda Bashkimit.

Ne s’jemi pjesë e rrugës, por jemi të gatshëm ta ndajmë me të tjerët pjesën e përgjegjësisë e të qenit europianë, sepse nuk është e drejtë të shohësh vende në rrugën ballkanike ose dhe më tej që vuajnë për shkak të pozicionit të tyre gjeografik dhe ne thjesht të jemi jashtë saj. Por në të njëjtën kohë, ne mund ta ndajmë pjesën tonë të përgjegjësisë, kur të gjithë të jenë gati ta bëjnë këtë.

Dhe për mua, kjo krizë ka qenë shembulli më mahnitës sesi BE-ja nuk është në gjendje të jetë BE, sepse nga pikëpamja e organizimit dhe koordinimit është një lëmsh i vërtetë. Imagjinoni sikur Angela Merkel të mos ishte aty, që t’i shpëtonte fytyrën Europës, ç’do na kishin parë sytë. Nëse në Berlin do të ishte vëllai ose motra e Vikor Orbanit, çfarë do kishit parë?

Është një sfidë e madhe, por mund të them se me shumë krenari mund t’i themi Bashkimit Europian: Po, ndoshta nuk jemi në gjendje të përmbushim kriteret, standardet, procedurat etj., për t’u respektuar si shtet anëtar i barabartë, por jemi gati të përmbushim detyrat tona në bazë të disa vlerave që, më vjen keq ta them, nuk po i shohim në disa vende anëtare. Nëse një ditë do të gjykohemi nga një shtet që nuk po sillemi si europianë, në lidhje me, le të themi, kuotat tona për peshkimin, besoj se mbi të gjitha, ne po sillemi si europianë në kuptimin më të mirë të fjalës dhe për ne ka qenë gjithnjë e qartë.

Ne kemi pritur rreth tre mijë refugjatë opozitarë iranianë, refugjatë politikë që po vriteshin në Camp Liberty në Irak dhe askush s’do të merret me ata. Dhe ata vazhdojnë të vriten. Shqiptarët kanë një histori të lavdishme në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Ne i mirëpritëm. Jemi një vend i vogël, dhe po të shohësh shifrat e flukseve migratore sot, ndoshta 3000 nuk duket shumë, por po ju them se pikërisht se ishte organizuar mirë, askush nuk e ka parë dhe askush s’e ka bërë problem. Imagjinoni sikur Europa të organizohej siç duhej dhe mos i hidhte këta njerëz si top pingpongu nga një kufi në tjetrin, ndoshta këta 1 milionë njerëz që janë tashmë në Europë nuk do viheshin re nga askush. Sepse në 500 milionë banorë që Europa ka sot, 1 milionë nuk është asgjë dhe mund të përthithet shumë lehtë.

Por sigurisht, kur nuk je i organizuar, kur ia lë menaxhimin e fluksit Greqisë, sigurisht që situata do jetë lëmsh. Pastaj, çfarë ndodh? Një të diel ke 15 mijë refugjatë në stacionin e trenit të Mynihut dhe pastaj të duhet të merresh me disa idiotë që shkojnë nga 10% në 15%, të cilët rikthejnë disa fantazma të së kaluarës, që i kishim lënë pas.

Moderatori: Çfarë ndodh nëse Angela Merkel nuk do të jetë më Kancelare, le të themi pas 10 muajsh? Sa shumë varet Ballkani Perëndimor nga një personalitet i vetëm dhe nga vizioni i saj për rajonin? Dhe sa e rrezikshme është kjo gjë?

Rama: Do i bie shumë shkurt, ne nuk po konkurrojmë për të fituar zemrën e Angela Merkel, ndaj mund të bie dakord me Vuçiç dhe mund të them vetëm se ajo do të jetë Kancelarja e ardhshme, ndërsa Tramp nuk do të jetë President i SHBA-ve. Ky është parashikimi im.

Vuçiç: Unë nuk e di këtë, por ai e di.

Rama: Po, unë e di. Kur të vijë tek zgjedhjet në Rusi, atëherë do të më duhet të të pyes ty.

Vuçiç: As unë nuk e di se çfarë do të ndodhë në Rusi, gjithashtu.

Moderatori: Dua të kaloj në një prej çështjeve më të nxehta të mundshme, Kosova.

Rama: Tani kemi nevojë për 500 minuta kohë.

Moderatori: Po. Lexova sot që Presidenti serb tha dje, me rastin e hapjes së konsullatës në Shën Pjetërbug, që marrëdhëniet me Kosovën dhe qeverinë shqiptare në Prishtinë, për momentin janë në pikën më të ulët ndonjëherë, për shkak të sjelljes së shqiptarëve. A bini dakord me konstatimin e Presidentit tuaj për këtë çështje?

Vuçiç: Pikë së pari dua të them se Edi nuk njeh limite për atë që po lufton, për një mbështetje më të madhe të Perëndimit. Mund të thotë çfarë të dojë kundër Rusisë ose Moskës, apo mund të thotë çfarë të dojë për t’i cenuar ata. Unë nuk e bëj këtë, nuk e bëj me fuqitë perëndimore, as me Rusinë, as Kinën dhe jemi në pozita të ndryshme në këtë pikë.

Për këtë arsye, sondazhet tregojnë edhe një mbështetje të ndryshme nga Shqipëria në Serbi, përsa i përket mbështetjes për rrugën europiane të dy vendeve tona. Ka edhe disa arsye të tjera. Bashkimi Europian shihet këtu si një organizatë që bën gjithmonë e më shumë preson mbi Serbinë për krizën e Kosovës.

Në të njëjtën kohë, ashtu siç kam thënë, Bashkimi Europian ka mbështetur gjithmonë me zë të lartë dialogun dhe ka bërë komente të mira, herë pas here, për Kosovën dhe komente më pak të mira mbi Serbinë, por kryesisht kanë qenë të heshtur, kur duhet të flisnin për gabimet apo sjelljen e gabuar të palës tjetër. Kjo është ajo që njerëzit shohin dhe ndiejnë.

Shqipëria nuk ka probleme me integritetin e saj territorial, por Serbia ka. Këto janë problemet që kanë një qasje të ndryshme si nga BE, ashtu edhe nga vendet tona. Kjo është esenca e problemit.

Gjithsesi duhet të them diçka, populli serb duhet ta dijë, në lidhje me mbështetjen e madhe nga BE, kur na duhej të përballeshim me shkurtime buxhetore. Sot kemi me mijëra e mijëra projekte, të cilat mbështeten nga BE dhe serbët duhet ta dinë këtë. Nuk ka organizatë tjetër që mund të konkurrojë me BE-në në këtë drejtim dhe serbët duhet ta dinë këtë, gjithashtu.

Në lidhje me marrëdhëniet tona me Prishtinën kam shumë argumente që mund të përdor, për të thënë që pala tjetër është fajtore, por nuk dua ta bëj këtë. Jam i sigurt që edhe ata kanë argumente për të na fajësuar ne.

Përfundimi është që do të vazhdojmë procesin e dialogut me dedikim të plotë, se ky është një parakusht për zhvillimin ekonomik të të gjithë rajonit, për një standard më të mirë jete për vetë serbët dhe kjo është diçka që duhet të bëjmë për të ardhmen e marrëdhënieve shqiptaro-serbe, sepse këto janë dy kombet më të mëdha në Ballkanin Perëndimor dhe do të vazhdojnë të jenë edhe në 100 vitet e ardhshme. Ndaj duhet të krijojmë këtë shtyllë kurrizore të vullnetit të mirë në Ballkanin Perëndimor dhe gjithçka tjetër do të jetë shumë më e lehtë për t’u zgjidhur në të ardhmen.

E di që ka shumë njerëz në Serbi që nuk e kuptojnë këtë që po them tani dhe do të thoshin që ai është një mik i shqiptarëve, apo e bën këtë për këtë apo atë arsye. Nuk më intereson, po them atë që mendoj dhe atë që mendoj se është e vërtetë. Nuk do të jetë e lehtë dhe e dini, ne flasim me liderat shqiptarë në Kosovë, diçka që është një gjë e mirë.

Nuk e ndërpresim procesin tonë, edhe pse duket ndonjëherë se ka një rrugë qorre në fund të rrugës, por unë nuk besoj tek kjo dhe besoj se kemi nevojë të gjejmë më shumë kompromise, përndryshe do të mbesim në vendnumëro dhe nuk do të flasim për rrugën tonë europiane, zhvillimin tonë ekonomik, apo jetë më të mira për njerëzit e zakonshëm në Beograd, Prishtinë, Tiranë apo kudo.

Dua vetëm të them që po, do të harxhojmë më shumë kohë dhe energji në dialogun tonë, por do të jetë gjithmonë edhe më e vështirë ditë pas dite. E këtë po thosha edhe në fillim të këtij Forumi, sepse atmosfera ka ndryshuar tërësisht dhe kjo është shumë e vështirë jo vetëm për palën tonë, por edhe për palën tjetër e nuk shoh se si mund të bëhet më mirë.

Rama: Më lini ta filloj atje ku e la Aleksandri. Ai tha në fillim se ne jemi kundër Rusisë. Ne nuk jemi kundër Rusisë dhe edhe brenda NATO-s, ne jemi midis vendeve që mbështesin një strategji të kombinuar të dialogut dhe përmbajtjes. Ne besojmë në një botë ku shumë gjëra janë të lidhura dhe ne nuk kemi luksin që të mos flasim me njëri-tjetrin, biem apo jo dakord, jemi apo s’jemi në të njëjtin krah.

Tani, më lini t’i përgjigjem pyetjes. Kosova është çështja ku ne tërësisht ndahemi. Pikëpamja ime është që sa më shpejt që Serbia të njohë Kosovën, aq më mirë për të gjithë, por në të njëjtën kohë është një proces që e mbështes fuqimisht dhe për të cilin gjithmonë kam thënë se të dyja anët, se liderat e të dy palëve, si nga Beogradi ashtu dhe nga Prishtina, duhet të përgëzohen, flas për procesin e dialogut.

Dialogu është një mjet shumë i rëndësishëm për të përqendruar fuqitë tona drejt së ardhmes, sepse në fund të fundit nuk është thjesht rreth asaj që njerëzit mendojnë për Rusinë, Perëndimin apo çfarë priftërinjtë mendojnë për vendet e shenjta, është rreth se ku duhet të përqendrojmë fuqitë tona në këtë vend dhe gjithashtu në të gjithë këtë rajon.

Fuqitë tona për shumë kohë kanë qenë të përqendruara tek e shkuara. Unë i përgëzoj fuqimisht përpjekjet e Aleksandrit për të zhvendosur fokusin tek e ardhmja. Në të njëjtën kohë mendoj se ne nuk duhet të harrojmë kurrë se ndërsa bëjmë dialogun, po flasim për njerëzit e thjeshtë dhe jo për historinë, jo për atë që një president apo kryeministër ka qejf apo patriaku, por po flasim për njerëzit.

Më lini të jap një shembull. Po kaloja nëpër Serbi ditën e djeshme dhe gjithandej pashë që flitej e shkruhej për Trepçën. Tani kam një pyetje të thjeshtë. Trepça është një minierë në territorin kosovar, çfarë mund të bëni, ta transportoni këtu në Beograd? Nga ana tjetër duhet të kuptojmë që Trepça është një minierë në tokën kosovare dhe i përket qytetarëve kosovarë, qofshin shqiptarë apo serbë. Por, mbi të gjitha, Trepça është një çështje ekonomike. Prandaj, a duhet të vendosë ekonomia, nëse kjo minierë duhet të punojë, apo duhet ta vendosë politika? Kështu duket si një pyetje e thjeshtë, por përgjigja nuk është kaq e thjeshtë.

Le të marrim një çështje të tjetër të nxehtë. Si duhet të lëvizim përpara, pa pastruar këtë listë njerëzish që janë të kërkuar? Unë mund të kuptoj të gjithë argumentet, por kur dikush kalon kufirin për në Serbi dhe e kalon për herë të dhjetë dhe herën e dhjetë arrestohet, çfarë kuptimi ka, çfarë mesazhi jep?

Gjëja e fundit që dua të them, në të dyja anët, në Kosovë dhe në Serbi, jam i bindur që përparësia kur mendojmë për njëri-tjetrin është të bëjmë njerëzit e lumtur, të bëjmë të lumtur serbët në veri të Kosovës dhe të bëjmë të lumtur shqiptarët në jugun e Serbisë. Ky duhet të jetë objektivi, sa më të lumtur të jenë ata, aq më mirë do të jenë gjërat dhe do të ketë shumë më pak hapësirë për idiotët dhe për ata njerëz që duan të rikthehen tek e shkuara.

Kjo është thelbësore, ndaj nuk duhet të mbytemi me një pikë uji. Të dy vendet kanë rënë dakord që të ecin përpara dhe të lënë pas krahëve të shkuarën. Ndaj bie plotësisht dakord me Aleksandrin, ndaj erdha dhe këtu herën e parë, erdha përsëri dhe do të vij këtu sa herë të jetë nevoja, pa më interesuar për atë që do të thonë disa njerëz. Herën e fundit që lashë Tiranën për të ardhur këtu, më cilësuan një tradhtar, por kur u ktheva isha një hero. Por unë nuk jam as tradhtar dhe as hero, jam thjesht një njeri që beson se shqiptarët dhe serbët mund të bëjnë së bashku, për veten e tyre dhe për rajonin, atë që francezët dhe gjermanët bënë për veten e tyre dhe për Europën, pas shekujsh ndarjeje nga një lumë gjaku. Shembujt janë këtu, ne jemi këtu dhe e ardhmja është në duart tona, ose do e kapim, ose ndryshe të shkojmë të bëjmë rrëfim tek patriaku, nuk e di se çfarë të them.

Vuçiç: Të them të vërtetën, kur e pashë prezencën e medias kosovare, e dija që në fillim që Edi do të shfrytëzojë për t’u marrë me politikë dite. Ai është një politikan shumë më i mirë nga sa jam unë. Unë nuk po e përdorja këtë mundësi për të thënë diçka të keqe për kolegët e Prishtinës dhe nuk kam ndërmend të bëj këtë. Por do të marr dy shembujt që ai përdori, për të shpjeguar situatën midis Beogradit dhe Prishtinës.

Ai po fliste rreth Trepçës. Guxoj të them që di diçka më shumë se Edi për këtë çështje, të paktën kështu mendoj unë. Nëse ai thotë që kjo është një çështje ekonomike, Prishtina bëri gjithçka për të penguar zhvillimin ekonomik të Trepçës.

Kur thuhet se duhet bërë për përfitimin e të dyve, shqiptarë dhe serbë, a mund të gjesh një serb që pajtohet me këtë? A u përpoqën ata të gjenin një serb që bie dakord me këtë? Ata nuk u përpoqën të flisnin me serbët që jetojnë atje dhe punojnë në Trepçë. Ata i tejkaluan të gjithë procedurat që në fakt, ata vetë i vendosën. Nuk pyetën për to, e bënë për qëllimet e tyre të brendshme politike dhe ende nuk e kuptoj se përse e bënë, nuk arrij të gjej asnjë logjikë se përse duhet ta bënin.

Duke iu kthyer çështjes së Nehat Thaçit, besoj se kësaj po i referoheshit. Unë nuk di asgjë për çështjen e tij, nuk e kam parë dosjen e tij, përndryshe do të kisha bërë diçka të jashtëligjshme në këtë vend dhe ne sapo kemi hapur kapitullin 23 të negociatave për drejtësinë me BE-në dhe jemi paralajmëruar, për çështje të një rëndësie më të vogël, që të mos ndërhyjmë në punët e drejtësisë.

Nuk besoj se Bashkimi Europian ka standarde të dyfishta, ndonëse herë pas here i ka pasur. Në të njëjtën kohë, ne mendojmë se kjo nuk është një arsye e mjaftueshme për të ndaluar negociatat, për të ndaluar dialogun, edhe pse jemi përballur me çështjen e tmerrshme të nisur ndaj Oliver Ivanoviç, i cili është arrestuar, ndaluar, burgosur në mënyra të ndryshme për dy vjet e gjysmë.

Nuk e dëgjove këtë argument nga ana ime si një argument kyç, apo të paktën një argument i mjaftueshëm për të ndërprerë dialogun, për t’u kacafytur me dikë dhe për të thënë OK, tani nuk kemi më nevojë për të diskutuar mbi çështje të tjera me shqiptarët e Kosovës. A mendoni me të vërtetë se dikush arrestoi Nehat Thaçin qëllimisht, për ta shfrytëzuar për qëllime politike?! Jo, askush nuk e bëri. Kishte një mandat të lëshuar në vitin 1997, 1998.

Rama: Pikërisht, kjo është çështja, ne duhet të pastrojmë këto lloj listash, sepse na bëjmë që të rikthehemi në mënyrë të vazhdueshme tek e shkuara.

Vuçiç: Ne nuk mund të ndërhyjmë në sistemin tonë të drejtësisë, në zyrën e Prokurorit tonë të Përgjithshëm. Unë bie dakord me ju në kuptimin që duhet të shohim të gjithë këto lista, por duhet ta bëjmë në mënyrë të përbashkët, duhet ta bëjmë së bashku dhe duhet të kemi të njëjtën qasje si kur flitet për serbët, ashtu edhe për shqiptarët. Dhe unë e kam këtë vullnet, më besoni.

Rama: Kur përmenda Trepçën nuk doja të mbështesja ndonjë palë. E ju thoni që nuk e kuptoni, po ju them, askush në një botë normale nuk do ta kuptonte seçfarë po ndodh aty. Bëhet fjalë për një minierë, që është në Kosovë dhe do mbetet aty. Nuk ekziston mundësia për ta importuar dhe për ta sjellë atë këtu në Serbi. Qytetarët e Kosovës janë atje dhe pa dyshim që lidhet me ekonominë si çështje, të paktën në pikëpamjen time. Nuk po them kush bëri çfarë, po them vetëm që ka disa gjëra që dalin nga e shkuara dhe që i gjejmë në rrugën tonë të së ardhmes.

Vuçiç: Gjithmonë del diçka nga e shkuara, por çështja është se tani duhet të zgjidhim këtë çështje që ishte tërësisht e panevojshme për të gjithë ne. Ndaj po të them ty dhe kolegëve të mi nga Prishtina, që nuk e kuptoj. Dhe nuk do e kisha hapur fare këtë çështje, nëse ti nuk do ta kishe bërë, por thjesht nuk e kuptoj. Ne kemi qëndrime të ndryshme me Kosovën. Ju mendoni se është një shtet sovran dhe i pavarur, ne nuk e mendojmë këtë, por ne duhet të flasim me njëri-tjetrin. Kjo lëvizje në Trepçë ishte diçka që doli nga hiçi, që na befasoi të gjithëve dhe nuk e di edhe tani, nuk e kuptoj se cila ishte arsyeja.

Moderatori: Le të lëvizim nga kjo temë…

Vuçiç: Jo, jam i gatshëm që të flas për këtë. Po stresohem jo se është ndonjë çështje thelbësore këtu në Serbi, jo nuk është. Unë stresohem se mund të bësh çfarë të duash, mund të arrish rezultate të rëndësishme, por përsëri del diçka nga e shkuara.

Rama: Unë nuk do ta kisha ngritur, nëse nuk do e lexoja kudo në mediat serbe ditën e djeshme. Por edhe një herë theksoj që është shumë e rëndësishme, pasi biem dakord se kemi qëndrime krejtësisht të ndryshme përsa i përket statusit të Kosovës, por në të njëjtën kohë është duke u zhvilluar një dialog. Në këtë dialog nuk duhet të harrojmë njerëzit, sepse në fund të fundit, ky dialog ka të bëjë me ndjenjat e njerëzve, të cilat janë ato që do të përcaktojnë cilësinë e dialogut.

Vuçiç: Pikërisht për këtë po këmbëngul, njerëzit nuk u pyetën, njerëzit në Kosovën e veriut nuk u pyetën për këtë./Albeu.com/