Deklarata e plotë e Vjosa Osmanit në Kuvendin e LDK’s, që nuk u fut fare në votim

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës Vjosa Osmani, e ka përplue nji deklaratë, përmes së cilës ban thirrje me u distancue nga dhuna e përdorun ndaj kryetares së degës së LDK’s në Gjermani, Donika Gervalla, gjatë takimit të Këshillit të Përgjithshëm të LDK’s, me 20 Maj 2016, por që nuk u fut n’votim në Kuvendin e Punës të LDK’s të mbajtun sot.

Tue ba thirrje për të drejta të barabarta mes grave e burrave pjesëmarrës në politike e institucione, Osmani fton zyrtarët e LDK’s me u angazhue në dialog konstruktiv, respektim të vlerave themelore të demokracisë, respektim të mendimeve ndryshe dhe fjalës së lirë të zyrtarëve e aktivistëve të LDK.

Deklarata e plotë ekskluzivisht për Televizionin Rrokum:

Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës
28 maj 2016

– Me qëllim Lidhja Demokratike e Kosovës të jetë promotore e demokracisë dhe kultivuese e vazhdueshme e saj si dhe e pjesëmarrjes dhe fuqizimit të grave në politikë;
– Duke njohur rëndësinë që ka për shoqërinë e Kosovës barazia para ligjit, pavarësisht gjinisë dhe krijimi i mundësive të barabarta për pjesëmarrje në jetën politike të burrave e grave;
– Duke qenë të vetëdijshëm për sfidat me të cilat përballet vendi dhe domosdoshmërinë e përfshirjes sa më të madhe të grave në procese të rëndësishme politike;
– Duke pasur në konsideratë se Instituti Demokratik Kombëtar (NDI), i udhëhequr nga ish-sekretarja e Shtetit, znj. Madeleine Albright, si ndër partnerët kryesorë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka filluar kampanjën kundër dhunës që ushtrohet ndaj grave në politikë, me slloganin #Notthecost (jo me çmimin);

Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës miraton këtë:

DEKLARATË
1. Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës bën thirrje për respektim të të drejtave të barabarta për gratë dhe burrat që janë pjesëmarrës në jetën politike dhe për angazhim në promovimin e barazisë gjinore dhe rritjes së pjesëmarrjes së gruas në institucione publike dhe në parti politike.

2. Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës distancohet nga dhuna e përdorur ndaj znj. Donika Gërvalla, Kryetare e degës së LDK-së në Gjermani, gjatë takimit të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, më datë 20 maj 2016.

3. Kuvendi i Lidhjes Demokratikë të Kosovës i bën thirrje të gjithë zyrtarëve të LDK-së të angazhohen në dialog konstruktiv, respektim të vlerave themelore të demokracisë, respektim të mendimeve ndryshe dhe fjalës së lirë të zyrtarëve e aktivistëve të LDK-së, si dhe angazhim për të rritur demokracinë brenda partiake.