Deklaratë jo fort e mirë e Mogherini’t për vendet e Ballkanit

Përfaqësuesja e naltë e Bashkimit Europian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, thotë se Ballkani asht “prioriteti i katërt” i Bashkimit Europian, ku BE’ja “mundet me humbë ma tepër dhe me fitue ma tepër”.

Ma tutje, tue folë dje në Konferencën e ambasadorëve të Bashkimit Europian për vitin 2017 në Bruksel, zoja Mogherini tha se Ballkani nuk “asht larg nesh”, por “asht Europë” dhe asht shprehë se ndjehet e zemërueme kur kolegët e saj u thojnë “miqve në Ballkan” se “jeni n’udhë për në Europë, mbasi ky rajon asht në Europë dhe kjo shihet qartas kur kemi të bajmë me sfida të sigurisë, me rrugët e migrantëve, kur kemi të bajmë me investimet ekonomike, e shumë gjana të tjera”.

Zoja Mogherini ka theksue, po ashtu, se “këtë vit na kemi pa tensione në Ballkan, që janë paraqitë në momente të ndryshme dhe në vende të ndryshme”, raporton faqja në Internet e BE.