Deklaratë për formimin e nji territori neutral ushtarak në Ballkan?

Partia ruse në pushtet, Rusia e Bashkueme, ka nënshkrue nji deklaratë bashkëpunimi me përfaqësuesit e partive politike nga Serbia, Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina, Maqedonia dhe Bullgaria, me të cilën angazhohen për formimin e nji territori neutral ushtarak në Ballkan.

Nënshkruesit e deklaratës, simbas nji komunikate të publikueme nga partia Rusia e Bashkueme, potencojnë se në funksion të përpjekjeve për zvogëlimin e tensioneve ndërkombëtare, nji randësi të veçantë për Europën Juglindore paraqesin nismat e shumë politikanëve në Ballkan për formimin e territoreve neutrale të shteteve sovrane, ku kishin me qenë Serbia, Mali i Zi, Maqedonia dhe Bosnje e Hercegovina.

Deklarata, nga pala ruse asht nënshkrue nga zyrtari i naltë, Sergej Zheleznjak, i cili e ka cilësue atë si nji ngjarje me randësi historike.

Përderisa Marko Djuric ishte nënshkrues nga Partia Përparimtare Serbe, që drejtohet nga Aleksandar Vucic.

Zyrtarja e kësaj partie politike, Maria Obradovic, thotë se çashtjet ushtarake përmenden në deklaratë, por në nji kontekst tjetër dhe nuk bahet fjalë për neutralitetin ushtarak.

“Nuk qëndron teza e neutralitetit ushtarak dhe as formimit të territorit të ri”, thotë Obradovic. Simbas saj, bahet fjalë për nji deklaratë e cila asht në funksion të relaksimit të marrëdhanieve në Ballkan dhe Europë.

“Kjo nuk asht nji marrëveshje ushtarake”, thotë Obradovic, tue potencue se ka nji shpërputhje mes asaj që asht nënshkrue dhe asaj që asht publikue si përmbajtje e deklaratës.