Kur godet Ambasadori amerikan: Çashtja per Demarkacionin fallco, votone!

Greg Delawie, ambasador i SHBA’ve, ka thane se Amerika e mbeshtete kufinin te cilin e ka ba Komisioni Shtetnor i Kosoves.

Delawie, në fjalën e tij tha se kufijtë janë të njajtë me ata që i ka dorëzue Kosova në 2007 në EuroGeographics, dhe me Planin e Ahtisaarit.

Ai ka thane se e mirepret kete debat, por ka shtue se kjo çashtje per Demarkacionin asht krejt fallco dhe se deputetet duhet me votue.

Ambasadori amerikan ka thane se hartat kadastrale, jane shume te hollesishme me i perdore kur vihet ne pyetje humbja e territorit.

Megjithate simbas tij, Amerika asht e bindun se me kete marreveshje, Kosova nuk e ka humb asnji hektare toke.

Delawie ka thane se kjo marreveshje po perdoret ne menyre cinike, nga politikanen ne vend, tue kritikue ne mase te konsiderueshme edhe Qeverine por edhe Kuvendin qe nuk e kane menaxhue si duhet krejt kete çashtje dhe se po nxitet urrejtja ndaj të huejve.

Kjo marreveshje ne mes te Kosoves dhe Malit te Zi, forcon subjektivitetin e vendit dhe forcon stabilitetin ne Ballkan.

Ai ka thane se SHBA ka me qendrue mbas Kosoves, edhe nese nuk votohet kjo marreveshje por votimi i saj ka ndikim pozitiv per t’ardhmen e Kosoves.

Ambasadori amerikan i ka ba lutje deputeteve te Kosoves qe kur kjo marreveshje te shkoje ne Kuvend me u votue ne paqe dhe me perdore Kuvendin per veprime qe kane randesi per t’ardhmen e shtetit te Kosoves.

Kjo asht fjala e ambasadorit Delawie gjatë tryezës së rrumbullakët për shënimin e vijës kufitare:

“3 gusht 2016

kryesues, z. Kryetar i kuvendit, anëtarë të komisionit, deputetë, ekspertë dhe vëzhguesë të tjerë, më vjen mirë që po i shoh të gjitha palët bashkë në një vend për t’i dëgjuar edhe shqetësimet edhe mbështetjen për këtë çështje. Mendoj se ky është rast i mirë për t’i parashtruar argumentet e ndryshme ashtu që opinioni t’i kuptojë ato, si dhe për t’i njoftuar deputetët para se të votojnë.

Më lejoni që qysh në fillim të them se pikëpamja ime dhe e qeverisë sime është se miratimi i marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare është i mirë për Kosovën dhe i mirë për rajonin.

Siç kemi deklaruar në dhjetor, analizat e ekspertëve tanë të kartografisë e mbështesin shënimin e vijës kufitare që ka dalë nga komisioni shtetëror i Kosovës.

Dëshiroj të them se kufijtë e shënuar nga komisioni janë të njëjtë me ata që Kosova i ka dorëzuar te EuroGeographics në vitin 2007 në përgatitje për pavarësinë.  Ata janë të njëjtët që janë përdorë në Planin e Ahtisaarit, që është baza e pavarësisë së Kosovës.  Janë të njëjtët me ata të përshkruar në Kushtetutën e Kosovës.  Janë të njëjtët si në flamurin e Kosovës, të cilin Kuvendi e ka miratuar në 2008-tën.  Ndryshimet që disa i kërkojnë qartazi do të rezultonin në vijëzim të ndryshëm të Kosovës me atë të shënuar në flamur dhe në vulë.  Prandaj, për mua kjo çështje është mjaft e drejtpërdrejtë.

Megjithëkëtë, e mirëpres nismën e Kuvendit për mbajtjen e kësaj tryeze të rrumbullaktë si mundësi për debat të hapur dhe të sinqertë për këtë çështje dhe shpresoj që ky proces do t’i qetësojë disa prej shqetësimeve që janë shprehur rreth kësaj çështjeje.  Po ashtu, shpresoj që ky debat do të bëhet shembull i diskutimit të çështjeve të tjera të vështira ose të ndërlikuara me të cilat Kuvendi me siguri do të përballet në muajt e ardhshëm.

I dëgjuam tri argumente kryesore kundër marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare, të cilat do t’i adresoj një nga një.

Së pari, iu drejtohem atyre që e pranojnë kufirin ndër-krahinor të vitit 1974, por besojnë që qeveria është dashur të negociojë duke përdorë metodë tjetër për shënimin e vijës kufitare e jo regjistrat kadastralë; ju përgëzoj që e keni hetuar këtë çështje dhe që e keni marrë atë me shumë seriozitet.  Megjithatë, përdorimi i regjistrave kadastralë rezulton me kufirin më të saktë; ky është fakt.  Përdorimi i majave të maleve ose veçorive të tjera gjeografike mund të shërbejë mirë në shtetet ku zyrtarisht nuk ka pronësi të tokës, të drejta pronësore ose tokë nën menaxhimin e shtetit.  Megjithatë, ish-Jugosllavia ka mbajtur regjistra shumë të mirë të tokës.  Hartat kadastrale janë shumë më të hollësishme dhe më të sakta – përdorimi i kësaj metode mënjanon pohimet për uzurpim të tokës.  Komisioni ndërkombëtar që e ka rishikuar këtë çështje në shkurt dhe në mars i ka krahasuar regjistrat kadastralë në Kosovë dhe në Mal të Zi dhe ka ardhur në përfundim se ata kanë qenë në përputhje të plotë me kufirin e përkufizuar nga komisioni qeveritar –nuk ka as zbrazëtira e as mbivendosje.

Së dyti, atyre që besojnë se kufijtë është dashur të përkufizohen në bazë të hartave jugosllave të viteve ’40 dhe ’50 ose në bazë të historisë ose nostalgjisë, jam këtu për t’ju thënë se kjo nuk është e përshtatshme në botën e sotshme.  Kjo është epoka e dy shteteve bashkëkohore dhe sovrane që caktojnë kufijtë e tyre në bazë të historisë, kornizës së duhur ligjore dhe të dhënave për pronësi të tokës.  Të dëshirosh që historia të jetë ndryshe nuk e ndryshon atë, e as nuk është bazë reale për marrëveshje ndërkombëtare.  Po ashtu, dua të theksoj se zonat e verdha që i pamë më herët në disa harta qartazi nuk janë në shpërputhje me kufirin e Kosovës të përshkruar në flamurin e Kosovës që është aty lart.

Së treti, dëshiroj t’iu drejtohem atyre që e dinë shumë mirë se kufiri është aty ku komisioni qeveritar ka thënë që është dhe që tashmë i kanë vizat e tyre Shengen, atyre që rrejshëm pohojnë se kjo marrëveshje i kushton Kosovës 8000 ose më shumë hektarë tokë.  Unë besoj se ju po e kundërshtoni këtë marrëveshje në mënyrë cinike, duke nxitur urrejtje ndaj të huajve dhe nacionalizmin dhe duke e rrezikuar të ardhmen e vendit për të fituar fuqi politike.  Mendoj se kemi parë mjaftueshëm këto lloje të taktikave politike në rajon dhe jam i zhgënjyer që politikanët vazhdojnë t’i përdorin ato.  Kosova nuk do të ketë sukses në të ardhmen duke shikuar prapa ose duke i përdorur taktikat e të kaluarës.

Nuk dua t’iu drejtohem vetëm atyre që e kundërshtojnë marrëveshjen.  Atyre në qeveri, të cilët e lanë këtë marrëveshje të drejtpërdrejtë dhe solide që të presë 11 muaj para se t’ia prezantojnë publikut, ua përkujtoj se transparenca është gurthemel i çdo demokracie të shëndoshë.  Kjo çështje ndoshta nuk do të politizohej ose të polarizohej kaq shumë po ta kishin kuptuar njerëzit – qysh në fillim – bazën ligjore për punën e komisionit dhe mandatin e tyre, si dhe po të kishin pasur qasje në dokumentet, të cilat u bënë publike vetëm para pak kohësh.

Rezultatet dhe metodat e komisionit do të duhej të ishin diskutuar hapur qysh në fillim.

Në fund, nuk më bindin shqetësimet e ngritura se të drejtat dhe mirëqenia e banorëve të rajonit kufitar, të cilët i shfrytëzojnë këto toka si kullota ose për qëllime të tjera, do të ndryshojnë.  Kushdo që jeton atje, që e nxjerr bagëtinë në ato kullota ose që shëtit lirisht në zonat e larta malore në fjalë do të jetë po aq i lirë ta bëjë të njëjtën gjë edhe pas arritjes së kësaj marrëveshjeje, njëjtë siç kanë bërë deri më tash.

Kjo marrëveshje ndërmjet Republikës së Kosovës dhe fqinjit të saj miqësor, Malit të Zi, e forcon stabilitetin në Ballkan dhe shtyn përpara rajonin drejt integrimit euro-atlantik.

Dëshiroj t’ju njoftoj se Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë prapa qytetarëve të Kosovës pa marrë parasysh a do të ratifikohet kjo marrëveshje në Kuvend apo jo.  Por mos u gaboni, Shtetet e Bashkuara janë të bindura se është shumë më mirë që marrëveshja të kalojë se sa të dështojë.  Është më mirë për sovranitetin e Kosovës, për integrimin evropian, si dhe ç’është më e rëndësishmja, më mirë për këtë shtet që ta tejkalojë këtë çështje të politizuar dhe false dhe të përqendrohet në çështjet të cilat janë me rëndësi për popullin e Kosovës.

Dëshiroj ta shoh Kosovën duke ecur përpara dhe duke pasur sukses.  Kjo do të thotë të përqendrohet në adresimin e nevojave dhe prioriteteve të vërteta të qytetarëve të Kosovës.  Do të thotë të përballet me korrupsionin dhe ta forcojë sundimin e ligjit.  Do të thotë ta nxisë zhvillimin ekonomik dhe t’i promovojë investimet e jashtme për të krijuar vende pune.  Dhe përfundimisht, do të thotë ta ndërtojë të ardhmen më të mirë për të rinjtë dhe të rejat e Kosovës.

Mundi dhe koha e shpenzuar në këtë çështje gjatë vitit të kaluar ka pasur kosto të njëmendtë në ekonominë e Kosovës, në integrimin e saj në pjesën tjetër të botës dhe në reputacionin e saj jashtë vendit.  Mund t’ju them se ky shpenzim i kotë ka qenë zhgënjim i thellë për miqtë e Kosovës në Shtetet e Bashkuara dhe në vendet tjera në botë.

Deputetë, shpresoj që do të votoni me urtësi kur kjo çështje të vijë në Kuvend në të ardhmen e afërt.  Për të mirën e vendit, ju lutem votoni në paqe dhe ndihmojeni Kuvendin të merret me çështjet e rëndësishme, të cilat njëmend iu interesojnë punëdhënësve tuaj, qytetarëve të Kosovës.

Ju faleminderit shumë për kohën tuaj.”