Delegacioni i Kuvendit të Kosovës në Austri kërkon përkrahje për integrim në BE

Nji delegacion i Kuvendit të Kosovës, i cili po qëndron në Vjenë, ka vizitue sot Parlamentin e Austrisë.

Delegacioni – në përbëame të Anton Qunit, kryetar i Grupit të Miqësisë Kosovë-Austri në Kuvendin e Kosovës, dhe deputetëve Luljeta Veselaj-Gutaj, Abdyl Ymeri, Ganimete Musliu, Nuredin Ibishi, Time Kadrijaj dhe Salih Salihu – ka qëndrue në Parlamentin e Austrisë, me ftesë të Kryetarit të Grupit të Miqësisë Austri-Kosovë në Parlamentin e Austrisë, Christoph Vavrik.

“Gjatë kësaj vizite, Grupi i Miqësisë me Austrinë i Kuvendit të Kosovës, ka zhvillue takime me Grupin homolog Parlamentar në Parlamentin e Austrisë, i kryesuem nga z. Christoph Vavrik, me përfaqësuesit e Komisionit të BE’s, në Parlamentin Austriak, i kryesuem nga z. Karlheinz Kopf, President i Dytë i Këshillit Kombëtar të Austrisë, përfaqësues të Komisionit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Austrisë, i kryesuem nga z. Josef Cap dhe z. Schallenberg Alexander, Shef i Seksionit për Europë, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Austrisë”, ban të ditun nji komunikatë nga Kuvendi i Kosovës.

Thellimi i bashkëpunimit mes dy vendeve në rrafshin politik, shtrimja e këtij bashkëpunimi edhe në rrafshin ekonomik, çashtja e zgjidhjes së kufinit me Malin e Zi, luftimi i korrupcionit nga institucionet në vend dhe mundësia e integrimit të Kosovës në BE dhe organizata ndërkombëtare, ishin temat e diskutimit, simbas komunikatës.

Gjatë këtyne takimeve, Grupi i Miqësisë Kosovë-Austri i Kuvendit të Kosovës në vazhdimësi kërkoi përkrahjen e shtetit Austriak në rrugën e Kosovës drejt integrimit në BE dhe organizata ndërkombëtare (NATO, UNESCO, OSCE dhe INTERPOL).