Dërgohen në gjykatë paramilitarët serbë t’arrestuem në Mal të Zi

Policia e Malit të Zi ka dërgue në Gjykatë më duer të lidhun të dyshuemit serbë, të arrestuem, të cilët kishin planifikue sulme terroriste në territorin malazez.

Drejtori i Drejtorisë së Policisë së Malit të Zi, Slavko Stojanovic, ka konfirmue arrestimin e 20 personave nga Serbia, ndërkohë që për nji tjetër policia asht në kërkim me dyshimin se “në territorin e Malit të Zi kanë krye vepër penale të krijimit të organizatës kriminale” dhe vepër penale të “terrorizmit”.

“Asht e saktë se pjesëtarët e Drejtorisë së Policisë, gjatë natës së kalueme, në bashkëpunim me Agjencinë për sigurinë kombëtare dhe në koordinim dhe urdhën të Prokurorisë Speciale shtetnore, tue veprue në përputhje me shënimet operative dhe të intelegjencës të cilat i ka posedue policia, kanë arrestue 20 persona, shtetas të Republikës së Serbisë, ndërkohë që nji person tjetër, gjithashtu shtetas i Republikës së Serbisë, asht në kërkim”, thuhet në nji kumtesë të policisë.

Në kumtesë gjithashtu thuhet se “ata, siç dyshohet, kanë hy në Mal të Zi dhe kanë pasë për qëllim që fillimisht të marrin pushkë automatike dhe mandej që sonte të kryejnë sulme në institucionet e shtetit, policinë dhe pjesëtarët e organeve shtetnore, tue mos përjashtue edhe mundësinë e sulmeve mbi zyrtarët e naltë shtetnorë”.