Dështimi i LDK’s ka me i prue në pushtet ‘kriminelat’

Donika Gërvalla thotë se, LDK’s i duhet nji reformë e thellë. Simbas saj, nëse dështon LDK’ja, atëherë pushtetin munden me marrë “kriminelët dhe radikalët”.

Lidhjes Demokratike të Kosovës i duhet nji reformë e thellë si ajri për me jetue, ndërsa grupi rreth Isa Mustafës LDK’s së Ibrahim Rugovës po ia merr frymën pak nga pak.

Kështu ka thanë gjatë nji interviste për “Zërin”, kryetarja e Degës së LDK’s në Gjermani, Donika Gërvalla. Gërvalla, e cila u nxorr zvarrë në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të LDK’s me 20 Maj, ka thanë se, LDK’ja aktuale dhe njerëzit e dobët të saj kanë frigë dhe prandaj frigësohen nga njerëzit e pamvarun me argumente të forta.

Simbas saj, prej vdekjes së presidentit Rugova, LDK’ja vazhdimisht keqpërdor statutin e saj. Në këtë frymë, ajo thotë se edhe vetë kryetari i partisë, Isa Mustafa, asht zgjedhë në mënyrë jolegale.