Désir: Kosova ka ba përparim. Presim raport pozitiv!

collakuhesir

Ministri Francez i Shtetit për Çashtje t’Europës, Harlem Désir, në nji konferencë për media, mbas takimit me ministrin për Integrime Europiane të Kosovës, Bekim Çollaku, ka thanë se ndihma e Francës për Kosovën nuk do të ndalet.

“E kemi mendu si të randësishme që të vijmë në Prishtinë, për të përcjellë mesazhe të bashkëpunimit për Kosovën”.

“Dy shtetet tona, Franca dhe Gjermania, e kanë njoft pamvarësinë e Kosovës vetëm pak orë mbas shpalljes dhe i kanë qendrue afër vendit tuej në 25 vjetët e fundit”.

“Jam shumë i sigurt që e ardhmja e shteteve të Ballkanit Perëndimor asht në Bashkimin Europian. Natyrisht që ka shumë reforma që duhen ba, por ajo që asht ba në Kosovë asht shumë e randësishme”.

Ai ka përmend rastin e bashkëpunimit mes Francës dhe Gjermanisë, si dy shtete me probleme mes vete dikur, si nji shembull të mirë për Kosovën dhe Serbinë.

“Franca dhe Gjermania janë dy shtete që mund të tregojnë se çfarë mund të bëjë pajtimi dhe ecja bashkë përpara”.

Désir ka thanë se janë të impresionuem me përparimin e banë nga Kosova drejt integrimeve europiane, ndërsa sa i përket liberalizimit të vizave ka thanë se presin nji raport të ri nga Komisioni Europian.

“Jemi të impresionuem me progresin e Kosovës drejt integrimeve europiane dhe drejt ndërtimit të paqes në rajon. E kemi të qartë randësinë e kësaj çashtje dhe jemi tue prit nji raport tjetër për të vendos me pastaj”.

“Raporti i kaluem ka qenë mjaft inkurajues, por zyrtarët europian janë shumë të ndjeshëm në çashtjen e liberalizimit të vizave”, ka theksue ministri francez.